Zv.ministrja e Brendshme: Jemi duke punuar për ndryshime ligjore, të cilat kriminalizojnë dhunën online - Ministria e Brendshme
Postuar më: 15/03/2024

Zv.ministrja e Brendshme: Jemi duke punuar për ndryshime ligjore, të cilat kriminalizojnë dhunën online

Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko ishte e ftuar në studion e emisionit “Breaking” në Top News:

Pyetje: Cilat janë masat që po merren nga ana e ministrisë, para disa kohësh z. Balla u shpreh se ka një protokoll të posaçëm, çfarë përfshin ky protokoll?

Zv.ministrja Kuko: Në radhë të parë, dua të sqaroj se rritja e denoncimeve në Polici nuk do të thotë që ka më shumë raste. Rritja e denoncimeve në Polici, në platforma, në Linjat e Këshillimit do të thotë që viktimat ndihen më komod për të raportuar rastet e dhunës. Ky në fakt është një moment shumë i mirë për të gjithë, sepse më në fund gratë, që janë shumica e viktimave të dhunës kanë vendosur të flasin, e kjo është ajo e cila na bën krenarë, ne e gjithë shoqërinë.

Ju keni shumë të drejtë kur flisni për pjesën e platformave online, e është një nga shqetësimet më të mëdha, sepse dhuna tashmë nuk po ndodh vetëm në ambiente fizike, por tani është transferuar në pjesën online. Bullizim, hapje faqesh, transferim materialeve siç kemi patur një grup ‘Telegrami’ të raportuar, apo në rrjetin ‘TikTok’, kanë qenë një problematikë shumë e madhe, e cila është dashur që të kemi kontakt me këto platforma për të arritur e bërë sistemin e profilizimit. Ministri Balla e ka thënë, ne jemi duke punuar me pjesën e ndryshimeve ligjore, të cilat kriminalizojnë bullizmin online, e në një farë mënyre përkufizojnë se çfarë quajmë abuzim online. Deri në momentin e tanishëm, nuk kemi një përkufizim të saktë dhe nëse kapen autorët nuk mund të kemi një dënim të posaçëm lidhur me ta. Kështu që shumë shpejt do të kemi edhe një protokoll, që do të deklarohet me detaje lidhur me pjesën e dhunës online.

Ajo që mund të themi, ka të bëjë me pjesën e zbulueshmërisë, sepse një pjesë e madhe e këtyre ‘snajperëve’ prapa tastierave dhe telefonave celularë, është që ata mendojnë se janë anonimë, se mund të hapin faqe anonime, mendojnë se mund të bëjnë gjithë atë veprimtari duke dëmtuar jetën sidomos të grave.

Ne tani e dimë që ‘TikTok’-u është kthyer në një platformë mizogjine në Shqipëri, dhe kanë menduar që gjithmonë anonimati do t’i shpëtojë. Kjo është një diçka për të ndryshuar shumë shpejt. Ju e keni parë, që para tre javësh, ministri Balla ka takuar një nga menaxherët kryesorë të ‘TikTok’ për Evropën, ku ne kemi rënë dakord lidhur me përdorimin e platformës në Shqipëri. Nuk po them se platformat online janë të këqija, sepse në thelb janë një mjet që të gjithë i përdorin. Por po them që sjellja në këto platforma online do të disiplinohet në mënyrë që të mos kemi më raste, si ato që patëm muajt e kaluar, të cilat tragjikisht në një rast kaloi dhe në humbje jete.

Pyetje: Jo më shumë se një rast në fakt, ishte një nënë e 4 fëmijëve në Durrës, një vajzë e re në kryeqytet, po si do të parandalohen raste të tilla? Pra, a do të mjaftojë ky takim me një administratorët e rrjetit social TikTok? Sa janë aftësitë e ekspertëve në Shqipëri për t’i gjurmuar dhe zbardhur se kush fshihet pas adresave  që ju e thatë, janë këto snajperët digjital, sepse vrasin?

Zv.ministrja Kuko: Duhet të kuptojmë diçka, që Policia e Shtetit është vetëm një nga hallkat e sistemit të sigurisë kibernetike. Ne jemi duke krijuar një platformë të përbashkët me AKCESKUN që është Agjencia e Sigurisë Kibernetike, dhe me agjenci të tjera, të cilat kanë fuqinë për të ndaluar e stopuar në mënyrë të menjëhershme këto materiale, këto përmbajtje të cilat dalin online, dhe kanë mundësi të dalin nga këto platforma. Pra që të mos rrinë aty me ditë të tëra dhe të dëmtojnë imazhin dhe identitetin e qytetarëve sidomos të grave.

E dyta, siç ju a thashë jemi duke punuar fort, që të mos ketë një anonimat absolut, dhe që autorët të mos ndihen të mbrojtur prapa anonimatit, duke hapur këto faqe, e duke kryer këto veprimtari me justifikimin se janë në terr dhe nuk mund të zbulohen.

Nga ana tjetër ne kemi Drejtori të Krimit Kibernetik, e cila për hir të së vërtetës tani po merr dhe më shumë fonde, por do të ketë më shumë staf të alokuar. Nuk mund të jap më shumë detaje operacionale, të cilat janë duke u zhvilluar, por ajo  që mund t’ju them është që ne shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete lidhur me zbulimin e këtyre personave, të cilët kanë përdorur imazhin e vajzave shqiptare në platforma si ‘Telegram’.

Duhet të kuptojmë që rritja e denoncimeve për bullizmin për dhunën online, për përdorimin e këtyre imazheve janë në shifra shumë të larta, kështu që shumë shpejt do të kemi siç e thashë, platformën por vënien e këtyre personave para drejtësisë, duke iu parë ‘fytyrat’, se cilët janë këta persona që marrin nëpër këmbë dinjitetin e vajzave shqiptare.

Pyetje: Znj. Kuko denoncimet janë të shumta, por aktualisht nga ana tjetër sa është niveli i zbulueshmërisë, sa përqind e këtyre denoncimeve kanë një autor kanë një emër?

Zv.ministrja Kuko: Duhet të kuptojmë që krimi kibernetik nuk është një sfidë që vetëm Shqipëria e ka. Krimi kibernetik është një sfidë e re, e cila kërkon edhe ndryshime ligjore, ndryshime teknologjike, kërkon përshtatjen e strukturave. Që do të thotë asnjëherë nuk është mjaftueshëm zbulueshmëria e këtyre rasteve në momentin ku ne ndodhemi. Mos harrojmë që tani platforma me inteligjencën artificiale dhe me shumë elemente të tjera përbëjnë një rrezik shumë të lartë, për të cilat shoqëritë më të zhvilluara të botës po hasin problematika.

Megjithatë siç jua thashë dhe njëherë, duke bërë këtë partneritet me platforma të mëdha si ‘Meta’, ‘Snapchat’ dhe të platformave të tjera, do të kemi mundësi të marrim informacionin në kohë reale, që do të thotë kush do denoncojë një rast do të mund ta denoncojë në platformën online dhe nuk ka nevojë të shkojë të kryejë denoncimin me dokumentacion, çka merr më shumë kohë për zbardhjen e rastit. Megjithatë jemi shumë besimplotë se do të kemi rezultate shumë më të shpejta në kohën që vjen.

Pyetje: Për t’ju rikthyer sërish situatës për dhunën në familje. Ju thatë që është një rritje e denoncimeve dhe jo domosdoshmërisht një rritje e rasteve të dhunës në Shqipëri, dhe pse ekspertët e fushës në fakt shprehen për të kundërtën, por ka pasur shumë raste kur gratë dhe vajzat edhe me urdhër mbrojtje janë dhunuar, madje ish-partnerët e tyre kanë arritur t’iu marrin dhe jetën. Pse nuk funksionojnë urdhrat e mbrojtjes  në Shqipëri, cila hallkë cedon?

Zv.ministrja Kuko: Në fakt me pjesën e urdhrave të mbrojtjes ne kemi pasur problematika para se të kishim ndryshime në ligjin për dhunën në marrëdhëniet familjare. Ka qenë një problem, ku në vitet e kaluara kemi pasur humbjen e jetës të një zonje, e cila ishte dhe vetë pjesë e strukturave të drejtësisë, e cila humbi pikërisht jetën nga ish-bashkëshorti dhunues, i cili shkeli urdhrin e mbrojtjes dhe i mori jetën.

Me ndryshimin e ligjit për dhunën në marrëdhëniet familjare ne kemi mundësuar që tani të jepen Urdhra të Menjëhershëm të Mbrojtjes, çka do të thotë që këto urdhra mund të lëshohen në 24-orëshin e parë të evidentimit të dhunës nga ana e Policisë, e kjo e kalon menjëherë viktimën apo të mbijetuarën, do preferoja ta thosha, menjëherë në mbrojtje të menjëhershme. Për sa i përket këtij modaliteti këtyre urdhrave të menjëhershëm të mbrojtjes, ne nuk kemi pasur probleme të ri-cenimit të integritetit të zonjave, të cilat kanë denoncuar dhe i kanë marrë këto urdhra mbrojtje.

Problemi qëndron kur kemi urdhra të mbrojtjes të dhënë nga pjesa e gjykatës, dhe kur kemi rastet e divorcit të cilat janë në vijimësi, ku autorët kërkojnë të gjejnë afërsi me viktimën, ku ka konflikte të ashpra lidhur me kujdestarinë e fëmijëve, apo lidhur me pjesën e ndarjes së financave, të pasurive lidhur me ish-bashkëshortët.

Megjithatë mund të them që nga ana e statistikave kemi një ulje shumë të madhe të këtyre rasteve dhe të cenimit të urdhrave të mbrojtjes. Siç e keni parë, të dënuarit për dhunë në familje në rastin konkret nuk do të marrin as amnistinë. Pra janë të përjashtuar, çka do të thotë që është një krim, i cili merret shumë seriozisht në Republikën e Shqipërisë.