Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka mbërritur në Lushnje për të parë nga afër situatën e krijuar nga një zjarri i madh që ka përfshirë pasditen e sotme kodrat me ullinj në fshatin Zhamë Sektor, Njësia Dushk. Si pasojë e përhapjes së flakëve u dogjën sipërfaqe të konsiderueshme me ullinj, bimësi dhe shkurre, duke rrezikuar edhe banesat.
Dhjetëra forca zjarrfikëse, punonjës të Policisë dhe administratës së bashkisë janë të angazhuara prej më shumë 4 orësh për vendosjen në kontroll të zjarrit. Aktualisht flakët nuk rrezikojnë banesat përreth.
Strukturat e Komisariatit të Policisë Lushnjë, menjëherë pas marrjes së njoftimit se në fshatin Zhamë ka rënë zjarr, bënë të mundur identifikimin dhe shoqërimin në Komisariat të autorit të dyshuar të zjarr vënies.
U shoqërua dhe po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore procedurale për shtetasin R.Z., 58 vjeç, i cili ka ndezur zjarr për të djegur mbeturinat dhe zjarri ka dalë jashtë kontrollit.
