Qeveria shqiptare mbetet e gatshme dhe do të ndërmarrë çdo hap të nevojshëm, për të përballur fenomenin e trafikimit të personave. Ministria e Brendshme, aktualisht kryeson fushatën antitrafik, duke bërë bashkë aktorët në aktivitete sensibilizuese për të nxjerrë në pah dimensionin njerëzor dhe edukues. Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha, gjatë një tryeze konsultative për Planin e Veprimit për Luftën Kundër Trafikimit të Personave 2024-2025, se mbetet kundër fushatave që mbahen në ditë të caktuara kundër trafikimit, kur bie fjala për qasjen kundër dhunës.
“Jam i parimit që kjo duhet të jetë çdo ditë të vitit pa asnjë ndërprerje, dhe prandaj draft Plani Kombëtar për Luftën Kundër Trafikimit të Personave, i cili do të diskutohet sot është edhe një shprehje e angazhimit politik institucional dhe pa dyshim dhe pa asnjë ekuivok edhe angazhim financiar që ne duhet të ndërmarrim në luftën kundër trafikimit”, deklaroi ministri, në takimin ku ishin pjesëmarrës përfaqësues të ambasadës së SHBA dhe asaj britanike në Tiranë.
Gjatë prezantimit të objektivave të Strategjinë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar, Balla nënvizoi uljen e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, nëpërmjet goditjes së trafiqeve të paligjshme; së dyti mbrojtjen e qytetarëve, të institucioneve dhe ekonomisë së vendit, në rritjen e forcës parandaluese ndaj kërcënimeve të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, si dhe zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme rajonale dhe ndërkombëtare.
“Fatkeqësisht trafikimi i personave është një krim i ditëve moderne, që nuk njeh kufij, moshë apo gjini dhe prek në të shumtën e rasteve me të pambrojturit duke shfrytëzuar shpresat dhe ëndrrat për t’i kthyer në viktima të mizorisë së paimagjinueshme. Ky krim minon vetë parimet e njerëzimit, duke u grabitur individëve dinjitetin dhe lirinë e tyre”, nënvizoi ministri.
Ndaj tha ai, duhet që institucionet publike në nivel qendror dhe vendor, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile, organet e drejtësisë, akademia dhe çdo qytetar të bashkëpunojë në një front për t’iu përgjigjur në kohë çdo viktime trafikimi.
“T’u ofrojmë viktimave të trafikimit shërbimet e nevojshme, mbështetjen, mbrojtjen, ri-integrimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha për të ri-kthyer dinjitetin e marrë peng, duke u investuar në hetimin proaktiv dhe dënimin e trafikanteve. Parandalimi dhe ndërgjegjësimi po ashtu janë elementë të cilët duhet të ecin në sinkron në aksionin e përbashkët”, nënvizoi kreu i MB-së.
Fjala e plotë e ministrit të Brendshëm Taulant Balla:
Ju falënderoj për pjesëmarrjen sot në ketë takim si dhe angazhimin tuaj personal dhe institucional në luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore. Adresimi i kësaj çështje është pjesë e angazhimit të përditshëm i të gjitha strukturave të Ministrisë së Brendshme, duke nisur nga Policia e Shtetit, e cila është në terren dhe ka një rol aktiv në identifikimin dhe referimin, e deri tek drejtoritë përgjegjëse në Ministri, të cilat hartojnë politika për t’iu përgjigjur në mënyrë strategjike këtij fenomeni çnjerëzor si dhe koordinojnë aksionin ndërinstitucional për identifikimin, referimin dhe mbrojtën e Viktimave të Trafikimit dhe Viktimave të Mundshme të Trafikimit.
Fatkeqësisht trafikimi i personave është një krim i ditëve moderne, që nuk njeh kufij, moshë apo gjini dhe prek në të shumtën e rasteve me të pambrojturit duke shfrytëzuar shpresat dhe ëndrrat për t’i kthyer në viktima të mizorisë së paimagjinueshme. Ky krim minon vetë parimet e njerëzimit, duke u grabitur individëve dinjitetin dhe lirinë e tyre.
Për këtë arsye lind nevoja që të gjithë, si institucionet publike në nivel qendror dhe vendor, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile, organet e drejtësisë, akademia dhe çdo qytetar i Republikës së Shqipërisë të bashkëpunojmë dhe të jemi në një front për t’iu përgjigjur me efektivitet dhe në kohë çdo viktime trafikimi.
Natyrisht për t’i ofruar viktimave të trafikimit shërbimet e nevojshme, mbështetjen, mbrojtjen, ri-integrimin social dhe ekonomik të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha për të ri-kthyer dinjitetin e marrë peng, duke u investuar në hetimin proaktiv dhe dënimin e trafikanteve. Parandalimi dhe ndërgjegjësimi po ashtu janë elementë të cilët duhet të ecin në sinkron në aksionin e përbashkët.
Ministria e Brendshme e kryeson këtë fushatë ndërkombëtare antitrafik, duke bërë bashkë të gjithë aktorët në aktivitete sensibilizuese në të gjithë Shqipërinë duke nxjerrë në pah dimensionin njerëzor dhe edukues të institucionit sa më pranë komunitetit, e mendoj që Silvana (Silvana Banushi, Drejtore e Përgjithshme e Zhvillimit për Migracionin dhe Azilin në MB) mund t’ua konfirmojë, se unë bëj pjesë tek ata që mendojnë se kjo qasje nuk duhet të jetë sporadike, ajo duhet të jetë sistematike në mënyrë të përditshme.
Unë jam kundër fushatave që i bëjmë kur është dita ndërkombëtare kundër trafikimit, apo kur është java apo dy javët, apo 16 ditët, kur bie fjala për qasjen kundër dhunës. Unë jam i parimit që kjo duhet të jetë çdo ditë të vitit pa asnjë ndërprerje, dhe prandaj draft Plani Kombëtar për Luftën Kundër Trafikimit të Personave, i cili do të diskutohet sot është edhe një shprehje e angazhimit politik institucional dhe pa dyshim dhe pa asnjë ekuivok edhe angazhim financiar që ne duhet të ndërmarrim në luftën kundër trafikimit.
Ministria e Brendshme në cilësinë e institucionit koordinues të veprimtarisë antitrafikim në nivel kombëtar, në nivel rajonal brenda Ballkanit Perëndimor, po ashtu edhe ndërkombëtar, është gati të marrë masat dhe është e dedikuar që ky dokument të adresojë rekomandimet e Tip Report po ashtu të GRETA-s, të Progres Raportit të Bashkimit Evropian të vitit 2023 duke e konsideruar si element kyç bashkëpunimi me të gjithë partnerët ndërkombëtarë të angazhuar me vendosmëri dhe me cilësi madje, në këtë përballje.
Konkretisht, në këtë plan veprimi, reflektohen ambiciet tona dhe prioritetet e vendosura nga qeveria, në Strategjinë Kombëtare kundër Krimit të Organizuar po ashtu.
Në mënyrë të cilësuar, dua të nënvizoj së pari, uljen e kërcënimit dhe ndikimit të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, nëpërmjet goditjes së trafiqeve të paligjshme. Historikisht, në këto 30 vite, krimi i organizuar është ushqyer nga forma të ndryshme të trafikimit. Dikur, përmes trafikimit të qenieve njerëzore mes Shqipërisë dhe Italisë dhe jo vetëm, dhe tani në forma të tjera.
Në mbrojtjen e qytetarëve, të institucioneve dhe ekonomisë së vendit, në rritjen e forcës parandaluese ndaj kërcënimeve të krimit të organizuar dhe krimeve të rënda, në rritjen e kapaciteteve institucionale për identifikim, mbrojtje dhe frenim dhe hetim pro-aktiv.
Së fundmi, në krijimin e zhvillimin e partneriteteve të qëndrueshme rajonale dhe ndërkombëtare.
Po ashtu, në këtë plan, reflektohen edhe arritjet dhe sfidat e evidentuara nga monitorimi i Planit të Veprimit 2021-2023, Plan, i cili në zbatimin e tij është mbështetur me shumë cilësi dhe efikasitet nga Ambasada Britanike këtu në Tiranë, nëpërmjet programit “Transformimi i përgjigjes kombëtare kundër trafikimit të personave” dhe i implementuar më së miri nga UNICEF në partneritet me Ministrinë tonë të Brendshme dhe organizata të tjera të shoqërisë civile, një pjesë të të cilave i shoh sot këtu prezent.
Në këtë luftë çmoj jashtëzakonisht të rëndësishme edhe mbështetjen e Ambasadës së SHBA këtu në Tiranë, të cilët janë investuar me programe specifike si dhe nëpërmjet rekomandimeve të raportit të DASH mbi trafikimin e personave në Shqipëri, duke asistuar zhvillimin e instrumenteve adekuat kombëtar.
Ajo që për mua ka shumë vlerë, e besoj e bashkë-ndajmë me të gjithë në këtë tryezë është se në këtë përpjekje kolektive të koordinuar, që duhet të arrijmë të mbrojmë të drejtat e të cenuarve, të përforcojmë ndërgjegjësimin dhe të krijojmë një të ardhme, ku zinxhirët e trafikimit t’i kemi shkatërruar sa më shumë të mundemi, duke synuar t’i shkatërrojmë totalisht. Vendosmëria jonë është e palëkundur dhe besojmë se së bashku do të sigurojmë që çdo jetë të trajtohet me respektin dhe dinjitetin që meriton. Faleminderit.