Tiranë – Publikohet ekstrakti i pestë i listave zgjedhore për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 - Ministria e Brendshme
Postuar më: 22/02/2023

Tiranë – Publikohet ekstrakti i pestë i listave zgjedhore për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023

Ministria e Brendshme publikoi sipas përcaktimeve ligjore, ekstraktin e pestë të listave zgjedhore për zgjedhjet për pushtetin vendor që do të mbahen në datë 14 maj 2023.

Ekstrakti i parë i përbërësve zgjedhor u publikua në 6 nëntor 2022, ekstrakti i dytë në 22 nëntor 2022, ekstrakti i tretë në 19 dhjetor 2022, ekstrakti i katërt në 21 janar 2023, ekstrakti i pestë në 19 shkurt 2023.

Sipas të dhënave të këtij ekstrakti, numri i përgjithshëm i zgjedhësve të përfshirë në lista është 3,651,512 shtetas në shkallë vendi.

Në këtë ekstrakt ka edhe 3,779 shtetas të papërfshirë në lista, të cilët janë mbi 100-vjeçarë.

Numri aktual i qendrave të votimit, sipas këtij ekstrakti, është 5194. Zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative, kanë detyrimin ligjor të printojnë ekstraktin e fundit të përbërësve zgjedhore sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial.

Ky ekstrakt, si edhe katër të parët, firmoset nga Kryetari i Bashkisë dhe publikohet në ambientet e bashkive/njësive administrative/në vende me hyrje të lirë të aksesueshme për publikun, ku çdokush mund të verifikojë emrin në listë.

Çdo qytetar mundet të verifikojë edhe online emrin në listën zgjedhore, përmes portalit qeveritar e-Albania – KLIKO:

Emrat e zgjedhësve që nuk kanë një dokument identiteti të vlefshëm edhe në këtë ekstrakt janë të shënjuar.

MB fton çdo qytetar me ID kartë të skaduar, të nxitojë të pajiset me dokumentin e ri, përmes të cilit përfiton shërbime, por edhe mundësinë të shprehë vullnetin në zgjedhjet e 14 majit.

Për çdo paqartësi ose problem që lidhet me listën zgjedhore, ftohen qytetarët të kontaktojnë me Zyrat e Gjendjes Civile përkatëse, ose të drejtohen në adresën zyrtare: Ministria.Brendshme@mb.gov.al të MB.