Slloveni/ Zv.Ministri i Brendshëm, Mahila merr pjesë në ministerialin e Procesit të Brdo-s - Ministria e Brendshme
Postuar më: 11/04/2023

Slloveni/ Zv.Ministri i Brendshëm, Mahila merr pjesë në ministerialin e Procesit të Brdo-s

Zv.ministri i Brendshëm Andi Mahila ka konfirmuar angazhimin maksimal të Shqipërisë në përballjen e fenomeneve të migracionit të paligjshëm, gjatë ministerialit të përvitshëm që u mbajt në Brdo, të Sllovenisë.

Në këtë takim morën pjesë ministrat e Brendshëm të kësaj nisme, si dhe përfaqësues nga KE, EUROPOL, FRONTEX etj. Aty u trajtuan çështjet që kanë të bëjnë me fushën e sigurisë së brendshme dhe migracionin, duke u fokusuar në një bashkëpunim më të ngushtë në luftën kundër kontrabandimit të emigrantëve.

Mahila tha se “është përgjegjësia jonë ndaj qytetarëve që përfaqësojmë të ndalojmë çdo formë shfrytëzimi e kontrabandimi të emigrantëve. Puna jonë për goditjen e këtij aktiviteti të paligjshëm duhet të bëhet më inteligjente, duke përdorur të gjitha avantazhet e teknologjisë, që nga kontrolli i kufijve e deri tek zbulimi i rrjeteve kriminale që i fusin emigrantët në një cikël të pakthyeshëm shfrytëzimi”.

Në lidhje me kontrabandimin e migrantëve nga Lindja e Mesme apo Afrika, që shfrytëzojnë territorin e Shqipërisë për të dalë në vendet e BE-së, zv.ministri theksoi se “ne po bëjmë pjesën tonë për t’i prerë rrugën këtyre lëvizjeve që mobilizojnë krimin e organizuar më pas në të gjithë Europën. Rezultatet që kemi arritur për shkak të angazhimit të strukturave tona ligjzbatuese dhe ndihmës e mbështetjes së strukturave evropiane, janë domethënëse”.

Sa i përket menaxhimit të kufirit, ai tha se Shqipëria bashkëpunon ngushtë me FRONTEX dhe aktualisht po punon për ta pasuruar edhe më tej marrëveshjen e nënshkruar, me qëllim zgjerimin e bashkëpunimit operacional.

Z. Mahila është shprehur në lidhje me bashkëpunimin ndërmjet vendeve të kësaj nisme se vetëm përmes një qasjeje të përbashkët mbështetur në solidaritet më të thellë, në ndihmë të vazhdueshme e bashkëpunim të pandërprerë, ne vlerësojmë se do të mund të përballojmë sfidat që na paraqiten, për të luftuar në mënyrë efektive migrimin e parregullt përgjatë rrugës së Mesdheut Lindor.

Sa i përket bashkëpunimit, Mahila ka vënë në dukje se Shqipëria zbaton me përpikmëri marrëveshjen e ripranimit me Bashkimin Europian. Ai ka bërë me dije se po punohet edhe me Greqinë për finalizimin e protokollit të ri të ripranimit. Mahila bëri një ekspoze edhe të masave të marra nga autoritetet shqiptare për ndërgjegjësimin e qytetarëve që të mos shkelin rregullat e lëvizjes së lirë, duke qëndruar përtej afateve në zonën Shengen.

Gjithashtu ai informoi Ministerialin në lidhje me rezultatet e strukturave kufitare të vendit tonë, sa i përket refuzimeve në kufi, sekuestrimit të dokumenteve të falsifikuara e sidomos fenomenit të të miturve të pashoqëruar.

Sa i përket kuadrit ligjor, Mahila tha se po vijojmë procesin e finalizimit të marrëveshjeve të ripranimit me vende të origjinës apo tranzit të migrantëve të parregullt, me 11 shtete, që kemi nisur që prej vitit 2019.

“Shqipëria ka luajtur dhe do të vazhdojë të luajë rolin e një partneri konstruktiv në të gjitha nismat e përbashkëta rajonale dhe evropiane”, u shpreh zv.ministri i Brendshëm.