Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi projektligjin “Për Policinë e Shtetit”, në komisionin parlamentar për Ekonominë dhe Financat. Ai u shpreh se në hartimin e projektligjit, puna për të cilën ka nisur që në 2023, janë marrë parasysh modelet e vendeve partnere dhe organizatave me të cilat Policia bashkëpunon.
“Ligji i ri synon një organizim më efektiv; adreson parandalimin e konfliktit të interesit apo eliminimin e çdo hapësire për veprimtari korruptive, që ndërlidhet me një prej çështjeve që janë fokus për komisionin tuaj ka të bëjë edhe me rekomandimet e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit të Këshillit të Europës, GRECO sa i përket elementëve të direktivës së policisë dhe të direktivës për mbrojtjen e të dhënave personale”, nënvizoi Balla.
Ministri shtoi se policimi i së ardhmes duhet të jetë i bazuar në inteligjencë, përfshirë Inteligjencën artificiale.
“Synojmë që deri në 2030 të kemi një polici si vendet e BE. Ka nisur puna në shtator 2023 për projektligjin. Për hartimin i jemi referuar analizave të thelluara të modeleve të disa vendeve si Italia, Kroacia, Sllovenia, Rumania dhe ekspertiza e organizatave me të cilët punojmë çdo ditë. Ligji i është nënshtruar edhe një procesi konsultuar me të gjitha institucionit e pavarura, ri SPAK Prokurori i Përgjithshëm, KLP, KLGJ etj. Përmbushje e vendin tonë për të përmirësuar strukturat, sidomos për synimin Policia pranë komuniteteve”, u shpreh ministri.
“Duam të krijojmë një kulturë të qëndrueshme të profesionalizimit, të integritetit brenda Policisë së Shtetit dhe natyrshëm sigurimin e inspektimit të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor për komunitete ku Policia e Shtetit ka nderin dhe detyrën të punojë. Po ashtu kemi adresuar edhe disa rekomandime të rëndësishme që vijnë nga OSBE-ja kryesisht përmes raporteve të ODHIR-it gjatë proceseve zgjedhore, por dhe në tërësi sa i përket komponentëve të policimit demokratik, pra një polici e orientuar drejt një shërbimi ndaj qytetarëve, rritje të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, një polici me kulturë profesionalizmi, integriteti”, tha Balla.

Më poshtë fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla:
Të nderuar kolegë,
Propozimi i ligjit të ri për Policinë e Shtetit është një iniciativë e rëndësishme e Ministrisë së Brendshme në kuadër të përpjekjeve tona për reformimin e institucioneve të rendit dhe sigurisë, ku Policia e Shtetit është edhe agjencia më e madhe ligjzbatuese në këtë fushë. Ligji në fuqi “Për Policinë e Shtetit” ka qenë një ligj i mirë për kohën kur u miratua në vitin 2014 dhe ka synuar dhe ka arritur rezultate për sa i përket përmirësimit të performancës së Policisë së Shtetit, pikë së pari, në raport me të drejtat dhe pritshmëritë e qytetarëve, po ashtu ai ka kontribuar ndjeshëm në shumë fusha të sigurisë publike duke arritur parametra europian në të gjitha komponentët duke filluar nga lufta kundër krimit e duke kaluar nëpërmjet parametrave të rendit publik dhe sigurisë në tërësi.
Sa i përket procesit të hartimit të kësaj nisme mund t’ju them se ligji është një hap i rëndësishëm sa i përket përmbushjes nga Shqipëria të detyrimeve përgjatë procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian, në të gjitha çështjet që lidhen me kapitujt dhe grup kapitujt për forcimin e shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Mund t’ju garantoj se kjo nismë krijon infrastrukturën e domosdoshme ligjore për forcimin e kapaciteteve të Policisë së Shtetit sa i përket mirë menaxhimit, organizimit dhe garantimit të parimeve të karrierës së pavarur për çdo punonjës të Policisë së Shtetit.
Dua që ta ndaj me të gjithë kolegët se kjo iniciativë ligjore, një pjesë e mirë prej saj ka ardhur nga vetë organizata e Policisë së Shtetit dhe synon një zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme të çështjeve që ne synojmë të përmirësojmë për të konsoliduar dhe dua ta nënvijëzoj, gjithë përvojën e mirë të arritur deri më tani, por natyrshëm për vendosur bazat e një reformimi, i cili synon të na çojë te një Polici Shteti e një vendi anëtarë të Bashkimit Europian deri në vitin 2030 dhe synojmë të krijojmë një agjenci ligjzbatuese të konsoliduar, autonome dhe të vetëdijshme për çdo hallk të organizimit mbi nevojën për të përmirësuar e mos harruar asnjëherë për të qenë pro aktive në raport me sfidat, në raport me rekomandimet dhe me të gjitha kërkesat përgjatë procesit historik të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Projektligji që ju të dashur kolegë keni përpara, ka nisur puna në shtator të vitit 2023 dhe hartimi i këtij ligji i është nënshtruar një procesi të strukturuar të shtrirë, me një diskutim shumë konstruktiv me vetë strukturat e Policisë së Shtetit në disa nivele, jo vetëm në nivelin e DP, me partnerët ndërkombëtar, të cilët asistojnë Ministrinë e Brendshme.
Dua ta ndaj me Komisionin e Ekonomisë dhe Financave se i jemi referuar analizave të thelluara të modeleve të disa vendeve ku ndër to do të nënvijëzoja së pari, Italinë, Kroacinë, Sllovenin, Rumaninë, por ekspertizës së vyer gjithashtu të organizatave ndërkombëtare me të cilat punojmë çdo ditë: EU4LEA nga BE, ICITAP nga SHBA, SIDS nga Norvegjia, Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar dhe do të isha më shpjegues këtu agjencive ligjzbatuese britanike me të cilat ne punojmë. Po ashtu t’ju informoj se ligji i është nënshtruar edhe një procesi konsultues shumë gjithëpërfshirës me të gjitha institucionet e pavarura dhe në dokumentacionin shoqërues keni edhe opinionet e tyre, Prokurori i Përgjithshëm, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, KLGJ, KLP, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, një pjesë prej këtyre, janë tani, në këtë moment që po flasim në Komisionin e Sigurisë për t’iu përgjigjur edhe pyetjeve shtesë që komisioni përgjegjës mund të ketë.
Ligji ka marrë parasysh gjithë analizat objektive të nevojave për reformim për t’u adresuar nga Policia e Shtetit e ndërthur kjo siç ju thashë edhe me ekspertizën më të mirë të partnerëve ndërkombëtar. Ligji në mënyrë të përmbledhur mundëson adresimin e rekomandimeve kryesore të organizmave ndërkombëtar për krijimin e kapaciteteve apo strukturave të munguara në Policisë e Shtetit që nuk i kemi pasur deri më tani. Synon një organizim më efektiv; adreson parandalimin e konfliktit të interesit apo eliminimin e çdo hapësire për veprimtari korruptive, që ndërlidhet le të themi me një prej çështjeve që janë fokus për komisionin tuaj ka të bëj edhe me rekomandimet e Grupit të Shteteve Kundër Korrupsionit të Këshillit të Europës, GRECO sa i përket elementëve të direktivës së policisë dhe të direktivës për mbrojtjen e të dhënave personale.
Dua ta informoj Komisionin tuaj se të gjitha këto janë marrë në konsideratë, pra të gjitha rekomandimet e GRECO-s, janë referuar në këtë ligj të ri të Policisë së Shtetit. Iniciativa jonë e cila shpresojmë që të marri edhe mbështetjen tuaj sot ka në thelb përmbushjen e angazhimit të vendit tonë për të përmirësuar kapacitete dhe integritetin e institucioneve të rendit dhe sigurisë, veçanërisht për sa i përket implementimit të konceptit policia pranë komuniteteve.
Duam të krijojmë një kulturë të qëndrueshme të profesionalizimit, të integritetit brenda Policisë së Shtetit dhe natyrshëm sigurimin e inspektimit të të drejtave dhe dinjitetit njerëzor për komunitete ku Policia e Shtetit ka nderin dhe detyrën të punojë. Po ashtu kemi adresuar edhe disa rekomandime të rëndësishme që vijnë nga OSBE-ja kryesisht përmes raporteve të ODHIR-it gjatë proceseve zgjedhore, por dhe në tërësi sa i përket komponentëve të policimit demokratik, pra një polici e orientuar drejt një shërbimi ndaj qytetarëve, rritje të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve, një polici me kulturë profesionalizmi, integriteti dhe respekti për dinjitetin njerëzor dhe komuniteteve që ka nderin tu shërbej, një polici më e ndjeshme dhe më e përfshirë për sa i përket përmbushjes së objektivave sociale, dhënia e ndihmës dhe mbështetjes për grupet e cenueshme, të margjinalizuar viktimave të krimit dhe paharruar këtu asnjëherë viktimat e dhunës në familje, të diskriminimit apo dhe të përjashtimit social.
Projektligji mundëson një përkufizim më të qartë të autoritetit policor, të ushtrimit dhe të kufizimeve të këtij autoriteti duke u fokusuar në rregullimin e veprimtarisë policore në rruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.
Ligji përmirëson:
Nisur nga nevoja për t’ju përgjigjur me kapacitete më të specializuara në nivel vendor dhe qendror, ndikimit të zhvillimeve në teknologji, shfaqjes së formave të reja dhe sfiduese të krimit të organizuar, kërcënimeve që burojnë nga krimi kibernetik fenomeneve që ndërlidhen me fushën e mbulimit tuaj siç është pastrimi i parave dhe duke marr në konsideratë se policimi i së ardhmes duhet të jetë i bazuar në inteligjencë, përfshirë këtu atë artificiale ne synojmë që përmes këtij ligji të hedhim bazat e shëndosha për një infrastrukturë të përshtatshme ligjore dhe modernizimin e policimit si shërbim publik.
Ligji sjell një risi tepër të rëndësishme sa i përket pranimeve në Policinë e Shtetit, sa i përket roleve zbatuese dhe prandaj dua t’ju informoj se projektligji adreson problematikën e një arsimimi të përgjithshëm duke orientuar atë drejtë profilizimit sipas fushave kryesore të veprimtarisë së Policisë së Shtetit dhe dua të ndaj sot me ju dhe me publikun lajmin e mirë se pas shumë viteve ndërprerje Akademia e Sigurisë rikthehet përsëri në këtë vit të ri shkollor me 100 studentët e parë në sistemin bachelor, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit ku 100 vajza dhe djem do të kenë mundësinë që në përfundim të këtyre studimeve tre vjeçare të marrin gradën nënkomisar dhe kjo do të na shëronte disi nevojën e madhe që kemi sot për punonjës policie në gradën nënkomisar që sikurse e dinë ata që punojnë çdo ditë janë dhe ata që janë pjesa më e rëndësishme sa i përket hetimit, hetimit parandalues, por dhe hetimit në tërësi të të gjitha formave të krimit.
Ligji ruan dhe përforcon rregullat në trajtimin e punonjësve ka qenë, mbetet angazhim kryesor në krye të Ministrisë së Brendshme trajtimi i duhur financiar i punonjësve të Policisë së Shtetit, e këtu gjej rastin t’ju informoj që edhe Policia e Shtetit ashtu si pjesa më e madhe e të gjitha institucioneve publike janë përfitues të një rritje të konsiderueshme të pagave në këtë muaj që flasim, e po ashtu më në fund i është dhënë dhe zgjidhje dhe një problematike e cila ishte garantuar nga ligji i vjetër, por që nuk ishte adresuar në kohë sikurse është pagesa e ushqimit për punonjësit e Policisë së Shtetit përmes një sistemi tepër transparent me karta bankare ku dekontimi i tyre bëhet vetëm në njësi shërbimi që kanë fokus vetëm shitjen e mallrave ushqimore.
Po ashtu ligji parashikon skema mbështetje dhe motivimi më të favorshme ndaj punonjësve Policisë së Shtetit. Jo vetëm përmbajtja, por edhe strukturimi i këtij ligji synon të na japë një organizim më logjik, më funksional dhe më afër thelbit të veprimtarisë policore duke lidhur më natyrshëm funksionimin, misionin, përgjegjësit mënyrën si ato zbatohen përmes masave policore dhe duke garantuar karrierë të bazuar në performancë.
E fundit, pa dashur të zgjatem është mbledhja dhe trajtimi i informacionit policor. Një aspekt i rëndësishëm sa i përket masave policore, të cilave u është dhënë pesha e duhur specifike në tërësinë e ligjit në përputhje me konceptin e policimit drejtuar nga inteligjenca, por nga ana tjetër duke i kushtuar rëndësi të veçantë edhe mbrojtjes së të dhënave personale dhe të drejtave themelore të njeriut.
Ndaj, kolegë deputetë anëtarë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, ndërkohë në raport keni të specifikuar qartë edhe sa është kostoja e përllogaritur e efektit financiar sa i përket vjetërsisë. Dua t’ju informoj se sipas nenit 103, parashikohet që trajtimi financiar gjatë qëndrimit në punë është propozuar të jetë ose përllogaritje e vjetërsisë, të llogaritet 1 % e pagës së nivelit më të ulët të pagës për gradë të rolit që ka, dhe kostoja e përllogaritur është 124.2 milion lek në vit duke filluar nga 1 janari i 2026.
Dua ta ndaj me ju që kërkesat tona në këtë aspekt kanë qenë më të mëdha gjatë procesit të diskutimit në Këshillin e Ministrave dhe në fund kemi dakordësuar me Ministrinë e Financave dhe kemi marrë edhe miratimin e tyre në mbledhjen e Qeverisë. Faleminderit Kryetar!
Komisioni i Ligjeve miraton draftin “Për Policinë e Shtetit”, Balla: Risi e ligjit, vendosja e mandatit për drejtuesit e Policisë
Ministri i Brendshëm Taulant Balla gjatë prezantimit të projektligjit “Për Policinë e Shtetit” tha se risi e nismës është mandati i drejtuesve të Policisë, nga niveli vendor deri tek Drejtori i Përgjithshëm.
“Do të kenë një mandat 3 apo 4 vjeçar, e një përfundim të tij, nëse nuk ke bërë detyrën do lëvizësh. Ka një sistem performance, por jo një gjë, që lëviz çdo 6 muaj, çdo një vit”, tha Balla.
Në përgjigje të interesit të deputetëve të Komisionit për Çështjet Ligjore Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, ministri i Brendshëm deklaroi se brenda Policisë së Shtetit ka një numër të madh punonjësish që punojnë me ndershmëri, me angazhim.
“Pyll pa derra nuk ka, po mos harroni asnjëherë se është po kjo Polici Shteti, që përballon në mënyrë të suksesshme sfida të mëdha sikur është fakti që një vend si i yni arrin të pres 10 milion turistë në 2023, edhe më shumë këtë vit. Shqiptari mikun në shtëpi të vetë e ka Zot, dhe mikun e trajton si Zot në shtëpi të vetë. Kjo që ju paska shqetësuar ju, nuk është shpikja jonë, e kemi parë në shumë vende dhe po ashtu meqenëse prekët këtë pjesën e perceptimit, e njëjta organizatë që bënte perceptimin e besueshmërisë së Policisë së Shtetit në vitin 2012 ku vlerësonte se 37% e shqiptarëve kanë besim në Policinë e Shtetit, e njëjta organizatë sot ndërkombëtare me financim ndërkombëtar thotë është 72%, dy herë më shumë besojnë shqiptarët tek Policinë e Shtetit sot pas dhjetë vitesh sesa përpara dhjetë vitesh kur Flamuri tuaj drejtonte Ministrinë e Brendshme”, replikoi kreu i Ministrisë së Brendshme me opozitarët në Kuvend.
Përpara se të miratonin edhe nen për nen draftin, Balla iu përgjigj shqetësimit se punonjës policie janë të lidhur me paligjshmërinë.
“Të kesh 69 punonjës policie në hetim për 4 vjet mua më duket pak, se t’ju them të drejtën, vetë gjatë këtij viti kam nxitur AMP dhe janë 264 raste për një vit nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore; sepse po të marrësh numrin e magjistratëve, prokurorëve dhe gjyqtarë të proceduar penalisht është shumë më i madh. Kështu që e vlerësoj bashkëpunimin me SPAK-un, e shoh jetik për vetëpastrimin e policisë, bashkëpunim të shkëlqyer në funksion të këtij objektivi të përbashkët që është pastrimi i Policisë dhe përgatitja e Policisë së Shtetit si polici e një vendi anëtar, po meqë jam këtu tek vendet anëtare, “Encro”, “Sky” kanë pasur edhe punonjësit e Policisë në vendet anëtare të BE-së”, informoi Balla deputetët.