Tiranë – Zv.ministri i Brendshëm Julian Hodaj dhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme Enea Hoti, në një ceremoni ku morën pjesë drejtuesit qendrorë dhe vendorë të IKMT, kanë prezantuar Kryeinspektorin e ri, Agim Ismaili, i cili pason në këtë detyrë, Dallëndyshe Bicin, e emëruar pak ditë më parë në krye të ASHK. Zv.ministri shprehu vlerësimet për punën dhe angazhimin e ish-drejtueses së IKMT, znj. Bici.

Z. Hodaj theksoi se Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit është një agjenci ligjzbatuese me rëndësi kyçe në zbatimin e politikave për mbrojtjen e hapësirave publike, pasurive natyrore, zhvillimin e vendit. “Ndaj pritshmëritë tona për IKMT, qoftë si Ministri e Brendshme, qoftë si qeverisje, por edhe nga ana e qytetarëve, janë të larta dhe të kuptueshme”, tha Hodaj.

Zv.ministri renditi shkurtimisht disa ndër objektivat kryesore për IKMT, duke veçuar vijimin e operacionit “Bregdeti Ynë”, identifikimin e projekteve të ndryshuara e konfiskimin e hapësirave që kanë kapërcyer lejen, si dhe goditjen e paligjshmërive në zonat bregdetare.
“Një objektiv tjetër me rëndësi është masivizimi i përdorimit të teknologjisë, pajisjeve inteligjente, të cilat kulmojnë me kontrollin satelitor të territorit”, nënvizoi Hodaj.

Kryeinspektori Ismaili, një zyrtar me përvojë në drejtimin e disa institucioneve të rëndësishme, shprehu mirënjohjen për përzgjedhjen në këtë detyrë, duke theksuar se IKMT është një institucion i konsoliduar tashmë. “Forcimi i marrëdhënieve ndërinstitucionale me agjencitë e tjera në funksion të luftës kundër paligjshmërisë, mbetet ndër prioritetet e punës sime”, tha drejtuesi i ri i IKMT.


