Prezantimi/Besmir Beja, Sekretari i ri i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme - Ministria e Brendshme
Postuar më: 08/11/2023

Prezantimi/Besmir Beja, Sekretari i ri i Përgjithshëm i Ministrisë së Brendshme

Ministri i Brendshëm Taulant Balla ka prezantuar Sekretarin e ri të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, z. Besmir Beja, në një ceremoni ku morën pjesë drejtues e nëpunës të MB. Beja pason në këtë detyrë, Enea Hotin, i cili ushtroi detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të MB për më shumë se 1 vit.

Balla vlerësoi dhe falënderoi ish-Sekretarin Hoti për angazhimin e drejtimin administrativ të MB, si dhe uroi z. Beja për detyrën duke besuar se proceset e nisura do të përshpejtohen.

Ministri theksoi se ky institucion, që nuk lidhet vetëm me rendin publik, por edhe fusha të tjera përgjegjësie, së bashku me agjencitë e varësisë përditë e më shumë po fitojnë besimin e qytetarëve, duke rritur parametrat e sigurisë dhe rritjen e gamës së shërbimeve.

Besmir Beja është jurist me një përvojë të gjatë si në Shqipëri, edhe organizata ndërkombëtare. Ai ka qenë pjesë e Sekretariatit Teknik pranë Komisionit të Posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, këshilltar i Ministrit të Drejtësisë e, për disa vite, Drejtor i Përgjithshëm i Drejtorisë së Kodifikimit dhe Harmonizimit të Legjislacionit në Ministrinë e Drejtësisë. Ai ka pasur gjithashtu përvojë si ekspert ligjor pranë misionit të OSBE në Shqipëri. Beja ka aftësi të spikatura profesionale në draftimin e ligjeve, këshillimin ligjor të kompanive ndërkombëtare e enteve publike, sidomos sa i përket kuadrit ligjor.