Paketa e Sigurisë në Shkolla, Balla nga Kukësi: Problematika e lëndëve narkotike në shkolla është një sfidë që do ta fitojmë në gjithë territorin e vendit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/09/2023

Paketa e Sigurisë në Shkolla, Balla nga Kukësi: Problematika e lëndëve narkotike në shkolla është një sfidë që do ta fitojmë në gjithë territorin e vendit

Gjatë vizitës në qarkun Kukës, ministri i Brendshëm ishte në shkollën e mesme “Qazim Shehu”, në Shtiqën ku deklaroi se siguria e fëmijëve dhe nxënësve në shkolla do të jetë prioritet i punës e në krye të saj, lufta kundër narkotikëve.

“Kemi shumë punë për të bërë. Nën drejtimin e Prefektit do të marrë jetë Task Forca që cakton perimetrin e sigurisë, me prezencë të shtuar të Policisë për të garantuar sigurinë. Problematika e lëndëve narkotike në shkolla nuk është vetëm në qendër të Tiranës, është një sfidë që ne do ta fitojmë në gjithë territorin e vendit”, tha Balla, referuar operacionit të fundit policor “Tempulli”, ku 23 grupe kriminale dhe një numër i lartë personash u proceduan.

Ai kërkoi nga të gjitha institucionet të kenë një angazhim të madh, për të krijuar një klime tjetër, të papërshtatshme për kultivimin e paligjshmërisë dhe duke iu gjendur në krah nxënësve.

“Jam këtu me Prefektin dhe drejtues vendorë, AKU, ISHP, Bashkinë e Kukësit, me të cilët duam që të zërë vend një qasje e re, sa i përket sigurisë në shkolla. Prindërit, gjyshërit teksa i sjellin fëmijët në shkollë na i besojnë ne, janë në besën tonë. Mësuesit, drejtuesit e shkollës, Oficeri i Sigurisë, Shefi i Komisariatit, apo Drejtori i Policisë, unë gjithashtu, na duhet të bëjmë detyrën që na ngarkon populli, t’i garantojmë çdo fëmije siguri. Fëmija teksa vjen për në shkollë mund të bjerë pre e keqbërësve. Fenomen mbetet shpërndarja e lëndëve narkotike. Edhe këtu në Kukës ka raste të personave të kapur nga gracka e Policisë për shpërndarje të drogës në shkolla, por ka dhe fenomene si bullizmi, etj.”, nënvizoi ministri Balla.

Ministri Balla prezanton Prefektin e ri të Kukësit: Paketa e Sigurisë në shkolla do të garantojë një PERIMETËR SIGURIE përreth shkollave dhe ashpërsim të ndëshkimit të keqbërësve që kryejnë vepra penale në dëm të nxënësve

18.09.2023 – Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi Prefekti i ri të Qarkut Kukës, Granit Gjana, i cili zëvendësoi në këtë detyrë Albert Halilajn.

Balla tha gjatë takimit se Ministria e Brendshme ka gati draftin e ri ligjor, për konsolidimin e rolin të Prefektit, si përfaqësues direkt i kryeministrit dhe i qeverisë në territor.

Ministri e vuri theksin tek roli që Prefekti ka aktualisht për drejtimin e disa Task Forcave vendore, ku veçoi atë për Paketën e Sigurisë në shkolla.

“Të gjithë e dimë që fëmijët rrezikun më të madh të qasjes ndaj fenomeneve si droga, apo të tjera si bullizmi, nuk ndodhin në shkollë, por ndodhin rrugës për në shkollë ose në të gjitha njësitë e shërbimit që ndodhen brenda perimetrit të sigurisë në shkolla. Ato ndodhin të kafja, te lokali përballë, te diskoteka pranë shkollës, por edhe problematike që lidhen me sigurinë ushqimore, që lidhen me kioskat apo fast food-et apo gjithçka tjetër që ndodhet brenda atij perimetri, duke mos harruar edhe një fenomen që ndoshta për faj të moszbatimit si duhet të ligjit që ka për detyrë ta zbatojë Inspektorati Shtetëror Shëndetësor dhe që ka të bëjë me alkoolin te moshat nën 18 vjeç. Të gjitha këto janë tashmë detyra dhe në kuadër të kësaj pakete, i takon Prefektit të Qarkut, i cili, në bashkëpunim me drejtorin e Policisë së Shtetit, me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, ISHSH, me organet e qeverisjes vendore të fillojmë të kemi mundësi që të verifikojmë të gjithë sinjalistikën rrugore, gardhet e shkollave, kamerat e sigurisë, sepse ato janë një element shumë i rëndësishëm për të garantuar që çdo nxënës, çdo fëmijë që çdo banor i Kukësit, Hasit apo Tropojës, dërgon në shkollë, ata janë në “besën tonë”, deklaroi z. Balla.

Ministri foli më tej për një qasje të re në zbatimin e kësaj pakete sigurie.

“Jam shumë krenar për rezultatet që kemi arritur në ditët e para të këtij viti të ri shkollor. Që në javën e parë kemi pasur një numër të konsiderueshëm personash të përfshirë në 23 grupe kriminale, të cilat funksiononin në shpërndarjen e lëndëve narkotike pranë shkollave në pothuajse të gjithë territorin. Kemi pasur edhe në Kukës disa rezultate dhe presim që rezultatet të konsolidohen edhe më tej në ditët në vijim dhe të garantojmë që ky fenomen që shumë më thonë që është e vështirë të çrrënjoset i gjithë por që për ta sulmuar pa asnjë kompromis, besoj që biem të gjithë dakord dhe kemi dakordësinë e të prindërve, gjyshërve, të cilët presin nga shteti që të godasë sa më fort këtë lloj fenomeni, për të mos harruar edhe fenomenet e tjera që na prekin fëmijët”, nënvizoi ai.