Ministri Balla i ftuar në "Opinion": Në vitin 2023 janë 160 raste të parandalimit të ngjarjeve të rënda kriminale - Ministria e Brendshme
Postuar më: 30/05/2024

Ministri Balla i ftuar në “Opinion”: Në vitin 2023 janë 160 raste të parandalimit të ngjarjeve të rënda kriminale

ATENTATI NDAJ AVOKATIT SOKOL MËNGJESI

Blendi Fevziu: Sokol Mëngjesi një avokat i njohur është goditur në mes të Tiranës. Nëse goditet një person në mes të Tiranës, cili nga ne ka siguri në qytet?

Ministri Balla: Unë i bashkohem gjithë shqetësimit lidhur me këtë ngjarje të rëndë dhe shpresoj që z. Mëngjesi ta kalojë këtë moment të vështirë. Edhe sot kam komunikuar dhe me doktorët që po ndjekin shëndetin e tij, me Dr. Olldashin në mënyrë të veçantë. Deri të hënën mendoj se do të jetë në rrezik për jetën, nëse kalon dhe e hëna, do ta kalojë tërësisht këtë, e konsideroj të rëndë ngjarjen. Unë nuk dua të relativizoj ngjarjen, përkundrazi e konsideroj tejet të rëndë. Ju thatë që në Sllovaki u sulmua kryeministri, po në një shesh, në një qendër qyteti. Na duhet që të parandalojmë në rastin në fjalë, sikurse ja kam thënë një prej kolegëve, do të kishte qenë mirë… Bëhet fjalë për një konflikt të vjetër, të akumuluar për të cilin me njërin nga kolegët kam thënë se si ka mundësi që nuk është sinjalizuar Policia e Shtetit, bëhet fjalë për konflikt disamujor. Kjo është një ngjarje e rëndë, por brenda disa orëve, Policia e Shtetit falë dhe informacionit të kolegëve, kemi arritur të kemi të arrestuar edhe autorin kryesor, edhe porositësin. Se kjo është një ngjarje që ka përfshirë persona që kanë dashur dhe janë përfshirë në goditjen e këtij avokati të nderuar. Një ngjarje e tillë është e vështirë ta parandalosh nëse nuk ke sinjalizime paraprake. Qytetarët, konflikte ose rreziqe të tilla duhet t’i sinjalizojnë në kohë pranë komisariateve. Vetëm në 5-mujorin e këtij vitit falë sinjalizimit në kohë të qytetarëve dhe besimit gjithashtu të qytetarëve, janë parandaluar 71 ngjarje kriminale të rënda.

Blendi Fevziu: 3 persona janë ende në kërkim…

Ministri Balla: Personi kryesor që ka goditur dhe i përfshirë në organizimin e kësaj ngjarje janë të ndaluar nga policia. Persona të tjerë janë të përfshirë, njëri ka shoqëruar me makinë. Kam pasur një komunikim në mesditën e djeshme me të gjithë drejtuesit e Policisë së Shtetit, për shkak të rëndësisë së figurës së personit të goditur, dhe e kam bërë të qartë se e djeshmja ka qenë një test i rëndësishëm për Policinë e Tiranës, ku janë përfshirë në operacionin për identifikimin dhe gjetjen e personave, të gjitha strukturat e policisë, jo vetëm DVP Tiranë, por edhe Forca Kombëtare e Sigurisë dhe po ashtu reparti special RENEA. Më vjen mirë që  qytetarët e kanë kuptuar dhe edhe personat me “background” kriminal që kur del në rrugë RENEA, zgjedhin të dorëzohen.

PARANDALIMI I NGJARJEVE KRIMINALE

Ministri Balla: Për vitin 2023 janë 160 raste të parandalimit të ngjarjeve të rënda kriminale, dua të kujtoj këtu një rast të rëndë, që nëse do të kishte ndodhur ne gusht 2023, në Vlorë, do të na kishte shkatërruar tërësisht sezonin turistik. Bëhej fjalë për një organizim tepër të sofistikuar mafioz, për të organizuar një atentat mu në qendër të Vlorës, në mes të ditës, por falë punës e inteligjencës policore, u arrit që ajo ngjarje të parandalohej, e personi të arrestohej në kohë para se të ekzekutonte atentatin e planifikuar ndaj një personi, i cili gjithashtu ishte me një background kriminal.

PROJEKTI “SMART CITY”

Ministri Balla: Një prej gjërave që kam konstatuar dhe që më vjen mirë që e kemi adresuar është pjesa që lidhet me monitorimin me kamera të qytetit. Dua ta them këtu që projekti i madh “Smart City” për 20 qytetet do të na lehtësojë punën, sepse nëse do të kishim një mbulim me kamera në të gjithë territorin e kryeqytetit, do ta kishim pasur shumë më të lehtë për t’i identifikuar autorët ndaj avokatit. Në këtë rast, u identifikuan falë kamerave të bizneseve dhe elemente të tjerë, se autorët janë shfaqur në kamera edhe në vende të tjera. Dua t’i garantoj qytetarët e Tiranës dhe 19 qyteteve të tjera të mëdha që ne, shumë shpejt, do të kemi një sistem të ri-monitorimi me kamera dhe pastaj kur të shkojmë te turizmi edhe të monitorimit të zhurmave. Mund të them që Shqipëria do të ketë sistemin më të mirë të kamerave, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por më shumë se kaq në Europë. Ajo që do bëjmë me Smart City është që ajo çfarë ka Abu Dhabi, do ta marrim dhe implementojmë këtu. Natyrisht që parimet e shtetit të së drejtës, të mbrojtjes së të dhënave personale do të respektohen. Por gjithë kjo gjë lidhet me inteligjencën artificiale.

Blendi Fevziu: Në ç’kuptim sistemin më të mirë. Sistemin e vendosjes, cilësisë së kamerave, monitorimit?

Ministri Balla: Nuk është kamera në vetvete sekreti i suksesit, por është pjesa nga mbrapa, pra programi apo aplikacioni që shoqëron kameran. Ne sot në Vlorë monitorojmë dhe dimë në kohë reale çdo automjet, që hyn në Vlorë. Ne duam që të ndërtojmë një program më të madh se ky. Këtë mund ta them me bindje që “Smart City” do të na mundësojë që ne të kemi mundësi ta identifikojmë në kohë reale se ku gjendet në kohë reale, për shkak të këtij sistemi. Me një komandë të caktuar ti mund të identifikosh kamerën e fundit që ai ka të fiksuar.

REZOLUTA ANTI-KORRUPSION

Blendi Fevziu: Rezoluta anti-korrupsion është një tentativë për të trembur apo për të frenuar hetimet e SPAKU-t?

Ministri Balla: Rezoluta e vlerëson punën e SPAK. Ky ishull i rëndësishëm dhe hallkë e rëndësishme e bashkëveprimit mes të gjitha institucioneve që luftojnë krimin, luftojnë korrupsionin, të shtrihet edhe në institucione apo agjenci të tjera ligjzbatuese. Ne duam që të kemi të njëjtën cilësi hetimi si të SPAK, edhe nga prokuroritë e Juridiksionit të Përgjithshëm.

Blendi Fevziu: Jua e ka prishur pak gjumin juve si mazhorancë?

Ministri Balla: Kur e ke bërë diçka vetë. Unë kam qenë në këtë studio në vitin 2016, kur ende nuk po arrinim të bënim votat në kuvendin e Shqipërisë për të votuar ndryshimet kushtetuese të cilat i hapën rrugën reformës në drejtësi. Ju kam sjellë këtu shembullin e Rumanisë dhe një pjesë e kolegëve tuaj gazetarë e shikonin me skepticizëm, se kjo nuk mund të bëhej. Ne flasim sot për një revansh të shtetit kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Kjo është falë kësaj reforme në drejtësi dhe falë prokurorëve të Prokurorisë së Posaçme.

Blendi Fevziu: SPAK-u i ka paketuar një pjese të ish-ministrave e kryebashkiakëve në burg?

Ministri Balla: Unë po ju thoja që falë kësaj reforme do të keni ministra, ish-ministra, ish-presidentë dhe ish-kryeministra në burg.

E vërteta është që nga ky shembull kemi mësuar edhe i kemi bërë prokurorët me mandate të gjata 9 vjeçare prokurorët e SPAK. Ka pasur edhe propozime të tjera para dy vitesh, për të ndryshuar formulën e drejtimit të SPAKU-t që kreu i tij të kishte mandat përsëritës. Por kjo nuk mund të bëhej, pas konsultimit me ekspertët, pasi ishte diskutuar më herët. Prandaj Kuvendi miratoi një komision të posaçëm që t’i marrë të gjitha këto kërkesa dhe t’i shqyrtojë. Ka një element tjetër shumë thelbësor, prej shtatorit të vitit 2022 ka funksionuar në Kuvendin e Shqipërisë një grup pune, ku 2 ishin nga mazhoranca dhe e 2 nga opozita, i cili funksiononte për të lehtësuar pak punën e SPAK. Me 20 prokurorë dhe aq shumë çështje, një pjesë prej të cilave që nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe, të kemi mundësi t’i transferojmë në një prokurori tjetër. Sot jemi në një faze të re, nga 2016, pas 8 vitesh, si kulturë juridike, ekziston ky parim që pas 8 vitesh ke mundësi të shohësh që çfarë mund të bësh më mirë. Mazhoranca nuk ka asnjë interes tjetër, por interesi i saj i vetëm është që shembulli pozitiv i SPAK të shtrihet edhe në institucionet e tjera.

EKSTRADIMET/DUBAI “KAFAZ I ARTË” PËR KRIMIN?

Blendi Fevziu: Në Dubai ndodhen bosët kryesorë të botës së krimit që dikur janë përpjekur të vrasin njëri-tjetrin tani rrinë me njëri-tjetrin në një sallë restoranti. A e bën kjo Dubain një “kafaz të artë” për botën e krimit?

Ministri Balla: Vetëm në 300 ditët e fundit, ne kemi 120 persona të ekstraduar, si autorë veprash penale të rënda. Sa i përket Dubait, ai ka marrëveshje ekstradimi me një numër të vogël vendesh, si me Belgjikën p.sh. Unë zhvillova një vizitë zyrtare në Abu Dhabi, kryeqytetin e EBA, jam takuar me të gjitha autoritetet shtetërore si dhe me Ministrin e Brendshëm dhe atë të Drejtësisë. U kemi dërguar tre marrëveshje, sepse pjesa e ekstradimit lidhet me tre marrëveshje, njëra është për ekstradimin, njëra është për vuajtjen e dënimit dhe për çështjet e juridiksionit gjyqësor. Të tria këto marrëveshje janë në proces vajtje ardhjeje, mes ministrive të drejtësisë të Shqipërisë dhe të Emirateve të Bashkuara. Politikisht, mund t’ju them dhe keni njoftimin zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë të Emirateve të Bashkuara që kemi diskutuar për këtë çështje dhe kemi dëshirën për t’i përmbyllur. Tani, shumë prej kolegëve të zotit Koka dhe zotit Ferhati, mund të thonë që jemi dakord por edhe po e firmosët marrëveshjen, ata nuk do e zbatojnë. T’ju them të drejtën kam pasur një bisedë shumë të hapur me Ministrin e Brendshëm kur i kam thënë që shikoni kur bëhet fjalë për krime të rënda ne do ngulmojmë në çdo lloj mënyre për t’i marrë. Këtu pastaj ka edhe një moment tjetër që mund të përdorim edhe depërtimin, jo ekstradim, që kërkon një proces më të gjatë gjyqësor.

Blendi Fevziu: Sa persona kemi ne që kërkohen në Dubai, me informacionet që keni ju?

Ministri Balla: Nuk e kam bërë një përmbledhje të saktë të një numri, por mund të themi që janë me dhjetëra.

Blendi Fevziu: A rrezikon që Dubai të jetë një mit dhe një pjesë e këtyre të jenë në Europë, sepse keni thënë që filani është në Dubai, pastaj janë arrestuar një në Spanjë, një në Francë, një këtu e një atje?

Ministri Balla: Shumë ma kanë bërë këtë pyetje. Besoj që biem dakord që është krijuar një koncept i gabuar te pjesa e personave me background kriminal dhe që e kanë shfrytëzuar këtë në kuptimin që bëjnë një ngjarje kriminale dhe e konsiderojnë si një shpresë për t’u fshehur atje. Ajo që unë mund të them publikisht sot është që ne do të bëjmë gjithçka që ky destinacion të mos konceptohet si i tillë.

Spartak Koka: Vetëm kërkesa sepse do të jetë në vullnetin e Dubait nëse do t’i pranojë kërkesat tuaja apo jo, mund të ketë dëshirë ministri i Brendshëm dhe i Drejtësisë, por s’ka vullnet qeveria?

Ministri Balla: Vullneti i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme është i njohur. Unë pres në javët apo muajt në vijim që ministri Bin Zayed të vizitojë Shqipërinë për të vazhduar këtë dhe të gjejmë të gjitha instrumentet që jo vetëm nëse arrijmë të mbyllim marrëveshjen, por të gjejmë mundësitë që edhe pa marrëveshje, personat e akuzuar për krime të rënda, ne të kemi mundësinë t’ia vëmë në dispozicion drejtësisë. Deri tani kemi identifikuar 20 persona për të cilët kemi marrë konfirmimin që janë në Dubai dhe janë persona që i kemi në kërkim. Shanset që në atë shtet të ketë persona të paidentifikuar që të jenë brenda kufirit të tyre, janë thuajse zero, se kanë një sistem shumë të mirë kontrolli të hyrjes në kufi.

PROCEDIMET NDAJ PUNONJËSVE TË POLICISË

Ministri Balla: E nise me një pjesëz të shkëputur nga deklaratat e z. Dumani, e cila është e nxjerrë jashtë kontekstit. Dumani me të drejtë thotë se nga 2020 dhe deri në 2023, janë 69 raste punonjësish të policisë të të gjithave niveleve, të cilët kanë rënë në rrjetën e drejtësisë. Unë i kam thënë që ne duhet të ndërtojmë dhe po e ndërtojmë që në rastin, kur kemi nën hetim punonjës policie, kjo gjë nuk duhet bërë përmes SPAK dhe Policisë së Shtetit por SPAK dhe dhe AMP. AMP ka hyrë tashmë në një fazë tjetër edhe falë mbështetjes së partnerëve. Në rast se te raportimi në fjalë ishin 4 vjet, (me 69 të proceduar), nga korriku 2023, deri tani, kemi 65 punonjës policie të arrestuar, për 330 ditë që janë, edhe nga SPAK, edhe me prokuroritë e tjera. Unë nuk e kundërshtoj faktin që brenda Policisë së Shtetit ka pasur dhe ka punonjës policie që tradhtojnë betimin dhe uniformën e policisë. Unë kam konsideruar procesin e vetëpastrimit të policisë detyrën numër 1. Unë sapo kam marrë detyrën kam kërkuar një sondazh se çfarë do publiku nga Policia e Shtetit? 61.2% e publikut kërkonte luftë kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike pranë shkollave dhe kjo ka qenë një prej sukseseve më të mëdha.

SKY APO ENCROCHAT?

Blendi Fevziu: A ju ka vënë SPAK në dispozicion listën e punonjësve që kanë përdorur Sky apo EncroChat?

Ministri Balla: Këto janë sekrete hetimore. Mos harroni që prej aty ku vjen informacioni, ne jemi anëtarë. Informacioni vjen nga EUROPOL dhe ne kemi dy oficerët tanë të Policisë së Shtetit atje dhe kanë akses në informacion. Unë jam takuar edhe me Sekretaren e Përgjithshme.

Blendi Fevziu: Kur i pyetët punonjësit e policisë, sa e pranuan që e përdornin këtë?

Ministri Balla: Vetëm një e pranoi se kishte përdorur.

Spartak Koka: Këto dy punonjësit e fundit, a e kishin deklaruar se kishin përdorur apo jo?

Ministri Balla: Jo nuk e kishin deklaruar. Edhe sikur të dalin të pafajshëm nga kjo çështje, janë të përjashtuar nga Policia e Shtetit për shkak të mosdeklarimit. Ne nuk duhet ta kemi fare aksesin tek hetimi, atë e bëjnë prokurorët. Kemi për detyrë ta mbështesim dhe i kam kërkuar me shkrim që në rast se keni informacion që X punonjës policie ka pasur llogari, nuk është i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale, ju lutem të na e vini në dispozicion. Të kishte një llogari të tillë, duhet të paguaje 1.500 Euro në muaj dhe më shumë se kaq është se komuniteti në të cilën aksesoje, ishte një qasje me persona kriminalë. Lidhur me AMP, rezultatet e deritanishme janë të mira, por janë të pamjaftueshme sa kohë që deri tani jemi në nivel shefa komisariatesh, pa pasur drejtorë drejtorie apo departamentesh nuk quhet e suksesshme. Kemi ringjallur siç duhet procesin e vetingut, kemi pasur shkarkime dhe dorëheqje. Në këtë proces janë të përfshirë të gjithë, por pa mbështetjen e SPAK, të SHISH dhe të informacionit që vjen nga agjencitë e tjera ligjzbatuese, është shumë e vështirë që ky proces të shkojë në këto nivele, por unë jam besimplotë që do të kemi dhe drejtorë.

PRITSHMËRITË PËR AMP

Blendi Fevziu: Një zyrtar i AMP-së e përdorte informacionin për gjobëvënie…

Eni Ferhati: Kishte hapur edhe portal të tijin…

Spartak Koka: Kaq mirë e kishim situatën me krimin sa shefat e sektorit të AMP-së luftonin drejtuesit e policisë dhe anasjelltas… Një person që ngre një strukturë të tillë dhe pastaj merrej me portale, strukturë kriminale, me përfaqësues SHISH, të AMP shefa sektori, punonjës në Durrës, paguajnë gazetarë portalesh dhe sulmojnë drejtuesit e policisë, i denigrojnë. Këta drejtues që ju i keni vendosur së fundmi, edhe në garë, kjo është tërësisht e pandershme dhe e papranueshme që këta persona që paskan qenë këtu, e kjo është edhe meritë e drejtorit të komanduar, i cili pati guximin të bënte kallëzim?

Ministri Balla: Po, shumë mirë, brenda 24 orësh nga kallëzimi, u zbulua gjithë skema dhe u arrestuan.

Spartak Koka: Jo nuk janë arrestuar. Personi organizator është në kërkim…

Ministri Balla: Unë mendoj se kur ka disa gjëra të mira duhet t’i themi. Biem të gjithë dakord. E para është se ky personi është në kërkim sot dhe ky është lajm i mirë. Kjo është maja e ajsbergut e diçkaje që ne do të duhet të hapim një diskutim pa prekur gazetarët, fjalën e lirë. Kur kam qenë kryetar grupi, kam iniciuar një projektligj, që nuk u miratua sa i përket luftës ndaj lajmit të rremë dhe përgjegjësisë që duhet të mbajë çdo person. Ky personi që po flisni ka qenë në procedim disiplinor për shkarkim. Dhe sikur mos të kishte ndodhur kjo, ky do të shkarkohej për shkelje të tjera.

Spartak Koka: Është shef sektori! Ka qenë në Durrës person i rëndësishëm.

Ministri Balla: Unë po të them që ka qenë në procedurë shkarkimi prej 6 muajsh. Kjo është çështje kulture. Ne po flasim për një rast që është i qartë. Këtu para 48 orëve ka pasur një kallëzim dhe brenda 48 orëve është zbuluar e gjithë skema dhe është arrestuar.

REVANSHI I SHTETIT KUNDËR KRIMIT TË ORGANIZUAR

Ministri Balla: Taulant Balla nuk ka ndryshuar në asnjë moment. Të njëjtat akuza që kam bërë në opozitë, të njëjtat akuza i bëj edhe sot. Të gjitha ato akuza i kam vazhduar deri në fund. Kam bërë akuzë për kompleksin Partizani në 2011, kam depozituar të njëjtin kallëzim në 2020. Sa i përket Policisë së Shtetit, në ditën e parë të punës, kam thënë atë që kam thënë në 2013, kam thënë që merreni deklaratën time, në 15 korrik kam marrë detyrën, kam thënë e para mos më thoni mua që nuk ka punonjës policie të painkriminuar, që pas çdo bime kanabis të pazbuluar fshihet një polic dhe pas çdo are me kanabis fshihet një shef komisariati. Ajo që thashë më dha të drejtë, sepse vetëm 3 javë pasi isha në detyrë, kemi kapur policë që mbronin arë me kanabis dhe shefa komisariati që ne e kërkonim një prej personave më të kërkuar në vend, G.Ç., në të gjithë Shqipërinë, na lëvizte me makinën e shefit të komisariatit. E kemi arrestuar shefin e komisariatit. Ne do të vazhdojmë. Për ne është shumë e rëndësishme që të krijojmë një kulturë tjetër. Unë nuk kam thënë asnjëherë, nuk gjen dot asnjë deklaratë timen që të them se ne e kemi fituar këtë betejë, jemi vetëm në fillimin e një revanshi të shtetit  kundër krimit të organizuar. Është e vërtetë që në Tiranë ka pasur  raste kur personat që diheshin që ishin në kërkim, lëviznin lirshëm dhe shkonin edhe nëpër lokalet e Tiranës, bënin presion. Një gjë e tillë nuk ndodh më. Do të kisha pasur shumë dëshirë për të folur për sezonin  turistik, e vërteta është që Shqipëria sot, Tirana sot është kryeqyteti më e sigurt se pjesa më  e madhe e kryeqyteteve europiane.

LIGJI I RI PËR POLICINË, RISITË

Ministri Balla: Unë mendoj që një ndër problemet 30-vjeçare të Policisë së Shtetit janë ndërhyrjet në emërime, politike e të tjera, kriminale, nëse doni. Brenda pak javësh, pa u mbyllur ky sesion parlamentar, Shqipëria do të ketë një ligj të ri për Policinë e Shtetit, i cili “zhvesh” ministrin, politikën, nga çdo lloj ndërhyrjeje në emërime. Në ligjin e ri do të kemi një koncept që emërimet të bazohen në meritokraci, në një sistem vlerësimi performance dhe të një këshilli emërimesh e komisioni që vlerëson karrierat, brenda Policisë së Shtetit, por që është i padepërtueshëm nga të gjitha ndërhyrjet. Konsultën e fundit e kemi bërë me kolegët spanjollë nga të cilët kemi marrë pjesën që lidhet me sistemin e gradave, i cili do të ndryshojë. Sistemi aktual i gradave e vështirëson ri-energjizimin e udhëheqësisë së policisë. Synimi është që t’i japim mundësi një karriere e cila të bazohet në rezultate e performancë. Unë kam shumë besim se formula e re që kemi përzgjedhur, përfshirë konkurrimin, nga shefi i komisariatit e lart, çdo pozicion në Policinë e Shtetit do të jetë me konkurrim.