Ministri Balla e Ministri britanik i Emigracionit Jenrick në Rinas: Numri i migrantëve të paligjshëm shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90% - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/09/2023

Ministri Balla e Ministri britanik i Emigracionit Jenrick në Rinas: Numri i migrantëve të paligjshëm shqiptarë drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90%

Ministri i Brendshëm Taulant Balla dhe Ministri i Emigracionit të Britanisë së Madhe, Robert Jenrick ishin së bashku sot në aeroportin “Nënë Tereza”, për të parë nga afër përpunimin e të dhënave të shtetasve të kthyer nga Anglia si pasojë e qëndrimit të tyre të paligjshëm. Prej Komunikatës së Përbashkët të dhjetorit 2022 të kryeministrave të dy shteteve, Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria e kanë përforcuar edhe më shumë bashkëpunimin mes tyre. Gjatë kësaj periudhe, numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në mënyrë të paligjshme drejt Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 90% krahasuar me vitin e shkuar, dhe është vënë re një rritje e numrit shtetasve shqiptarë, të kthyer në përmbushje të marrëveshjes së suksesshme.

Më pas dy ministrat vizituan Task Forcën, e cila funksionon në ambientet e godinës së re  të Komisariatit të Policisë Rinas ndërtuar në maj 2022, e cila është financuar nga qeveria britanike. Gjithashtu në Rinas janë ndërtuar ambiente të posaçme për intervistimin  e  shtetasve të kthyer, subjekt i riatdhesimit. Pala britanike ka asistuar Policinë Shqiptare edhe me pajisje logjistike, duke rritur kapacitetet përpunuese të strukturës.

Ministri Balla e informoi ministrin Jenrick mbi masat e marra duke ngritur me kohë të plotë një Task Forcë të Përbashkët, për Migracionin me pjesëmarrjen e strukturave të Policisë së Shtetit dhe autoriteteve britanike për parandalimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e migracionit. Kjo njësi kryen shkëmbimin, verifikimin, përpunimin dhe shpërndarjen e informacionit  nëpërmjet  mekanizmave të sigurt të komunikimit, që lidhen me migracionin e paligjshëm, falsifikimin dhe mashtrimin me dokumentet në lidhje me migracionin.

Ministri Britanik ndodhet në Tiranë, pasi do të marrë pjesë në Ministerialin e Ministrave të Brendshëm në kuadër të Procesit të Berlinit, që mbahet në datë 14 shtator.

TiranëBalla pret ministri britanik në Ministrinë e Brendshme: Zgjerojmë bashkëpunimin edhe në luftën kundër krimit të organizuar e trafikimit të narkotikëve

Pas vizitës së përbashkët në aeroport dhe Komisariatin e Policisë në Rinas, Ministri i Brendshëm Taulant Balla priti në takim Ministrin për Emigracionin të Britanisë së Madhe, Robert Jenrick.

Gjatë takimit, ministrat diskutuan mbi rezultatet e agjencive ligjzbatuese në të dy vendet, të cilat i konsideruan domethënëse. E këtu veçohet lufta kundër fenomenit të migracionit të paligjshëm të shqiptarëve drejt Britanisë, që ka është shënuar një ulje drastike deri në 92% të rasteve, krahasuar me vitin e kaluar.

“Ministri Jenrick e cilësoi Shqipërinë një model suksesi në luftën ndaj emigracionit të parregullt dhe sugjeroi zgjerimin e këtij bashkëpunimi edhe në fusha të tjera si në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimit të lëndëve narkotike”, u shpreh ministri Balla.