Komisioni për Sigurinë Kombëtare miraton projektligjin “Për Policinë Bashkiake” - Ministria e Brendshme
Postuar më: 13/12/2022

Komisioni për Sigurinë Kombëtare miraton projektligjin “Për Policinë Bashkiake”

Miratohet në parim projektligji “Për Policinë Bashkiake” – VIDEO

Komisioni për Sigurinë Kombëtare mori në shqyrtim dhe miratoi në parim projektligjin “Për Policinë Bashkiake”. Të ftuar për të shpjeguar risitë e nismës në Komision ishin Romina Kuko, zv.ministre e Brendshme dhe Enea Hoti, Sekretar i Përgjithshëm.

Znj. Kuko shpjegoi qëllimin e projektligjit, i cili sipas saj, në tërësi, parashikon t’i japë zgjidhje përfundimtare situatës së krijuar ndër vite, duke adresuar të gjitha shqetësimet dhe ofrimin e zgjidhjeve nëpërmjet mënyrës së rindërtimit të kësaj strukture, organizimit, funksionimit dhe pranimit në policinë bashkiake. Një risi tjetër është ridimensionimi i bashkëpunimit me strukturat e Policisë së Shtetit duke qartësuar kompetencat me këtë të fundit dhe institucione të tjera ligjzbatuese.

Projektligji “Për Policinë Bashkiake” – Shkarko

Zv.ministrja Romina Kuko prezanton p/ligjin në Komision:

Faleminderit z. Kryetar i Komisionit,

Të nderuar deputetë,

Shumë faleminderit për ftesën  për të shqyrtuar sot apo për të relatuar projektligjin për policinë bashkiake. Në fakt është një ligj i domosdoshëm për t’u hartuar, duke qenë se ligji “Për policinë bashkiake” është relativisht një ligj i vjetër dhe ka nevojë urgjente në fakt për t’u ribërë.

Ky ligj ka për qëllim të rregullojë misionin, organizimin, funksionimin, kompetencat e Policisë Bashkiake dhe marrëdhëniet e punës së punonjësit të Policisë Bashkiake në Republikën e Shqipërisë. Vjen si domosdoshmëri dhe si detyrim ligjor, i cili buron nga ligji organik me nr. 139/2015 për vetëqeverisjen vendore. Gjithashtu nevoja e hartimit të këtij projektligji është parashikuar në politikën për rritjen e parametrave të sigurisë në komunitet, të strategjisë ndërsektoriale për sigurinë në komunitet 2021/2026, dhe planit të veprimit 2021/2023 miratuar me VKM.

Referuar masës 15 të strategjisë është parashikuar rishikimi i rolit dhe përgjegjësive të policisë bashkiake, si vijon: Masat kyçe do të lidhen me rishikimin e ligjit për policinë bashkiake, i cili do të mundësojë kërkesa dhe standarde të larta për këto struktura në funksion të sigurisë publike, dhe përmirësimin e kuadrit rregullator dhe fuqizimin e bashkëpunimit të strukturave të policisë bashkiake dhe strukturave të Policisë së Shtetit.

Objektivat e propozuara që synohen për mes këtij projektligji janë:

Së pari, reformimin e Policisë Bashkiake si një organ ekzekutiv në nivel vendor në shërbim të sigurisë, qetësisë dhe rendit në komunitet, rishikimit të rolit dhe përgjegjësive si dhe forcimin e kompetencave të policisë bashkiake në përputhje me aktet e tjera rregullatore, rishikimi i organizimit dhe funksionimit të tyre, ndarja e qartë e kompetencave, si dhe nivelin e ndërveprimit dhe strukturat e tjera ligjzbatuese, përcaktimin e kritereve të qarta në procesin e përzgjedhjes së punonjësve të policisë bashkiake si dhe përcaktimin e procedurave të pranimit dhe përfundimit të marrëdhënieve të punës, përmirësimin e aftësive profesionale përmes trajnimeve specifike, përmirësimin e kuadrit rregullator mbi organizimin dhe funksionimin e policisë bashkiake dhe aktet nënligjore për zbatimin e këtij p/ligji, siç është psh., rregullorja kuadër e policisë bashkiake.

Nëpërmjet kësaj nisme qeveria parashikon unifikimin e shërbimeve të ofruara dhe përmirësimin e cilësisë për qytetarët. Kjo ndërhyrje e qeverisë synon t’i japë zgjidhje përfundimtare situatës së krijuar ndër vite, me këtë strukturë, duke adresuar të gjitha shqetësimet dhe ofrimin e zgjidhjeve në mënyrën e ndërtimit të kësaj strukture, mënyrës së organizimit, funksionimit dhe pranimit në policinë bashkiake, dhe bashkëpunimin me strukturat e Policisë së Shtetit, duke shmangur dhe mosmarrëveshjet dhe kompetencat ndërmjet këtyre dy strukturave.

Ky p/ligj ka për qëllim të zëvendësojë ligjin nr.8224, dt.15.05.1997 “Për organizimin dhe funksionimin e policisë së bashkisë dhe të komunës”, i ndryshuar, duke plotësuar mangësitë dhe përmirësuar problematikat që janë evidentuar gjatë zbatimit të ligjit.

Si risi, në këtë p/ligj janë rishikimi i kompetencave dhe detyrave të policisë bashkiake, duke riformuluar dhe parashikuar detyrat dhe përgjegjësitë sipas fushave kryesore të veprimtarisë së tyre, të cilat janë rendi dhe siguria në komunitet, bashkëjetesa shoqërore, mbrojtja e mjedisit, veprimtaria ekonomike dhe tregtare, mbrojtja e shëndetit, ruajtja e hapësirës publike. Sqarojmë se parashikimi i tyre është bërë duke kontrolluar të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi, që kanë përcaktuar kompetenca për policinë bashkiake, duke i përmbledhur në këtë p/ligj, të gjitha kompetencat aktuale, të shpërndara në shumë akte rregullatore.

Kompetencat janë formuluar në përkufizime të përgjithshme, duke përcaktuar fushën kryesore me qëllim detajimin dhe përcaktimin e kompetencave konkrete të kësaj strukture.

Një risi tjetër është parashikimi i procedurës së pranimit, rregullat e përgjithshme të fazave që përfshijnë konkurrimi që nga shpallja, ngritja dhe përbërja e komisionit përzgjedhës, verifikimi paraprak i kandidatit, testi me shkrim, testi i aftësive fizike, dhe intervista deri në përfundimin e procesit të testimit dhe mënyrën e vlerësimit me pikë të kandidatit.

Gjithashtu është përfshirja e testimit fizik, krahas kontrollit të kritereve etike dhe aftësive profesionale të kandidatëve apo edhe testit me shkrim dhe intervistës me gojë sipas përcaktimeve në rregulloren kuadër.

Gjithashtu është përcaktuar e drejta e ankimit për kandidatin, duke përcaktuar afatet dhe organin kompetent për shqyrtimin e ankesës për çdo fazë të konkurrimit, deri në publikimin e listës përfundimtare fituese. Trajnimit të detyrueshëm, gjithashtu, 4 javë pranë institucionit arsimor të Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, në rastin konkret, në Akademinë  e Sigurisë gjatë periudhës së provës. Bashkitë bashkëpunojnë me Akademinë e Sigurisë sipas programit të miratuar për këtë qëllim. Nisur dhe nga kërkesa e vazhdueshme e bashkive për trajnim të policisë bashkiake, p/ligji parashikon që trajnimet e punonjësve të policisë bashkiake, me qëllim përmirësimin e aftësive profesionale, të bëhen në mënyrë periodike në institucionin arsimor të Policisë së Shtetit, pranë ministrisë përgjegjëse për çështjet e rendit dhe sigurisë publike, ose në shkollën shqiptare të Administratës Publike, ose në institucionet e tjera publike, këto të fundit mund të jenë institucione arsimore, ose institucione të administratës publike për trajnime lidhur me tema specifike si psh., financat dhe ekonomia.

Gjithashtu parashikohet dhe vlerësimi i rezultateve në punë, i cili përfshin verifikimin e realizimit të objektivave.

Do të doja gjithashtu të theksoja se ligji ka kaluar një proces konsultimi dhe në Këshillin Konsultativ mes qeverisjes qendrore dhe vetëqeverisjes vendore, ku kemi pasur të pranishëm pjesëmarrës të të gjitha shoqatave të bashkive dhe gjithashtu shoqatave të autonomisë vendore. Ka qenë një komision i përbërë prej shumë aktorësh dhe është një nga ligjet më të konsultuara me të gjithë grupet e interesit. Faleminderit.