Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, për krijimin e task-forcave të përbashkëta në fushën e sigurisë”.
Projektligji u prezantua nga Besfort Lamallari, zv.ministër i Brendshëm, i cili sqaroi risitë. Nisma synon krijimin e bashkëpunimit të drejtpërdrejtë, ndërmjet autoriteteve kompetente të dy vendeve dhe task-forcave të tyre, për të shqyrtuar taktikat, përgatitjet dhe kohën për zgjidhjen e çështjeve që dalin gjatë bashkëpunimit të ndërsjellë.
“Bashkëpunimi ndërmjet autoriteteve kompetente të palëve do të kryhet nëpërmjet kërkesës për ndihmë, për eliminimin e rreziqeve për rendin dhe sigurinë publike, me qëllim parandalimin dhe zgjidhjen e krimeve, nëse kërkesa ose veprimi është në përputhje me ligjin kombëtar të shteteve palë dhe nuk është në juridiksionin e autoriteteve gjyqësore”, u shpreh Lamallari.
