VIDEO- Intervista e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi në A2CNN:
Përpjekja është e vazhdueshme, për të riatdhesuar çdo shqiptarë që ka mbetur në kampet e asaj pjese të territorit të Sirisë. Vizita ime ishte thjeshtë një nga hapat që po ndërmarrim për këtë qëllim. Do të kemi në një kohë të shpejtë edhe lajme pozitive në lidhje me shpëtimin nga vuajtjet të shqiptarëve që kanë mbetur në ato kampe. Situata është e ndërlikuar dhe sa vjen dhe ndërlikohet, për shkak të problemeve që kalon i gjithë rajoni aty përfshi këtu edhe vetë Libanin.
Kjo është pyetje thellësisht profesionale që nuk mund t’i bëhet Ministrit të Brendshëm. Policia i ka tashmë të gjithë kapacitetet edhe burimet njerëzore gjithashtu që të luftojë mbi të gjitha edhe krimin e organizuar. Besoj se ka pasur rezultate shumë mbresëlënëse lidhur me këtë gjë, dhe kjo është një përpjekje e vazhdueshme e një shteti që po forcohet dita ditës, pozitiv është lajmi që tashmë bashkëpunimi me strukturat e drejtësisë është në një nivel tjetër, që me krijimin e SPAK-ut. Siç e dini ne kemi finalizuar disa operacione të suksesshme në bashkëpunim me SPAK-un dhe kjo në fakt është një nga elementët thelbësorë për të pasur sukses në luftën kundër krimit të organizuar. Kështu që lajmi i mirë, është që ne kemi tashmë një marrëdhënie të një dimensioni tjetër për sa i përket adresimit të luftës kundër krimit të organizuar. Pavarësisht se BKH-ja akoma nuk është formësuar, Policia e Shtetit është përgjigjur në mënyrë të shkëlqyer të gjithë tentativave që ka bërë SPAK në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Nuk është momenti dhe s’duhet që Ministri i Brendshëm të njësohet me zëdhënësin e Policisë. Por Ministri i Brendshëm duhet të krijojë të gjitha kushtet dhe të ketë vullnetin e plotë politik, që Policia e Shtetit të kryejë gjithë detyrat dhe funksionet ashtu siç e ka përcaktuar ligji. Ministri sigurisht duhet të jetë një urë midis Policisë së Shtetit dhe institucioneve të tjera ligjzbatuese në mënyrë që këto të bashkëpunojnë sa më ngushtë dhe profesionale në dobi të luftës kundër krimit. Unë jam i bindur që statistikat e Policisë së Shtetit do të njësohen gjithmonë e më tepër me statistikat e prokurorisë dhe sigurisht do të jenë shumë afër me ato të gjykatës. Më parë, policia çonte shumë çështje në prokurori, por për shkak të drejtësisë së vjetër, shumë nga ato çështje pushoheshin ose nuk filloheshin fare dhe kriminelët liheshin të lirë.
Është një arritje historike që Policia e Shtetit ka krijuar besueshmëri në të gjitha policitë partnere të Europës dhe po bën operacione të përbashkëta me policitë më kryesore të Europës, si të Holandës, Gjermanisë, Spanjës, me Italinë, me të cilën jemi në një nivel besueshmëri gati si një organ, me Anglinë dhe mbi të gjitha, Shqipëria është e ulur në EUROPOL sikur të jetë një vend anëtar i BE-së.
Përsa i takon veprimeve që po kryen prokuroria, mbas dosjeve që ka çuar policia, e cila mbaroi punën brenda një viti, sipas afatit ligjor që kishte, tashmë gjatë 2021 po vazhdon puna nga SPAK dhe gjykata speciale, sepse procese e probleme të procedurës penale që kanë shtrirjen e tyre në kohë për t’u ndjekur.
Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me OSBE dhe kemi trajnuar forcat e policisë, me ekspertë të fushave, pikërisht për mobilizimin që do të duhet të ketë policia gjatë procesit zgjedhor. Ka plane operacionale të posaçme. Ditën e zgjedhjeve policia nuk afrohet në qendrat e votimit, nuk është brenda tyre, ka d.m.th. disa rregulla të qarta. Shoqërohen kutitë e votimit sipas ligjit dhe sigurisht që janë aty për të garantuar sigurinë publike në këtë ditë të veçantë. Unë u bëj thirrje të gjitha subjekteve apo çdo personi që mund të jetë në dijeni të veprimeve të tilla (që kanë të bëjnë me shitblerjen e votës), të njoftojnë dhe bashkëpunojnë me policinë. Këto janë asi lloj veprash penale ku prova është shumë e vështirë që të sigurohet dhe pa bashkëpunim nuk mund të kemi prova. Policia do të jetë aty, do të marrë masa që të provojë e dokumentojë çdo tentativë të kësaj natyre.
Absolutisht Kryeministri ka qenë plotësisht i hapur, dakord në këtë pikë, edhe unë jam dakord, në sensin që ne s’do të lejojmë që asnjë shtetasi të mos i lejohet votimi për shkak të mospasjes së një dokumenti identiteti. Në fakt përgjegjësia i takon vetë shtetasit që të shkojë, të aplikojë dhe të ketë një dokument të vlefshëm. Ne kemi rritur kapacitet, me prodhimin e mijëra dokumenteve në ditë, kemi shtuar zyrat e aplikimit, kemi hapur zyrat edhe të shtunave, kemi marrë të gjitha masat me qëllim që asgjë të mos mungojë dhe çdo shtetas të ketë akses në procesin e rinovimit të kartës ID. Me gjithë këto masa, ka ende një numër të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë që nuk e kanë rinovuar dokumentin e tyre të identitetit. Për këtë arsye ne do të marrim shumë shpejt një vendim, i cili duhet t’i shërbejë ditës së zgjedhjeve. Unë i garantoj të gjithë shqiptarët që do të kenë një dokument në dorë për të votuar, qoftë ky valid, apo me datën e shënuar si të skaduar në dokumentin e identitetit.
Përdorimi i teknologjisë unë besoj se do të përmirësojë standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, sidomos në lidhje me parandalimin drastik të fenomeneve të votimit të dyfishtë. Siç e testoi edhe KQZ, duke regjistruar shenjën e gishtit, tashmë asnjë shqiptar nuk do të tentojë të votojë dy herë apo në emër të dikujt tjetër, sepse do lejë shenjën e gishtave. Fiksimi i shenjës së gishtave është një provë shkencore, siç quhet në procedurën penale, që të çon drejtpërdrejt në burg.
Gjej rastin t’u bëj thirrje të gjithëve të respektojnë rregullat e vendosura nga komiteti përkatës në lidhje me regjimin që duhet të kemi për të përballuar këtë pandemi me pasoja katastrofike në të gjithë botën. Në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, nuk di çfarë të them për momentin, sepse nuk e kam lexuar, por nuk besoj se GJK është eksperte epidemish. Vendimi i GJK, nëse hyn në fuqi, pa diskutim që është për t’u zbatuar dhe nuk diskutohet. Ajo që më duket absurde është fakti se si arrin GJK të argumentojë që kufizimi që ka vënë komiteti i ekspertëve, nuk sjell dobi në parandalimin e pandemisë!
Mandatin e tretë do ta garantojmë sigurisht me punë. Fakti që u rendita i treti ka të bëjë me përgjegjësinë që kam unë si drejtues politik i qarkut. Ne në kryesinë e PS vendosëm një rregull, apo standard që drejtuesit e qarqeve të jenë në krye të frontit. Kjo do të thotë që drejtuesit rajonalë, të qarqeve, të vendosen në objektivin bazë që ka PS për zgjedhjet. Gjirokastra e ka 100% të sigurt mandatin e dytë, kështu që për mua s’do të thoshte asgjë që të vendosesha i dyti, sepse isha krejt i sigurt që do isha deputet. Ajo që mund ta bëjë të vlefshme punën time dhe pozicionin ku jam sot, është që të isha në ballë të një ushtrie që tenton të marrë mandatin e tretë. Ndryshe nga qarqet e tjera ku për objektivin bazë duhet punë, në Gjirokastër dy mandate janë të garantuara. Duke u vendosur i treti, e bëj të vlefshëm standardin që drejtuesi i qarkut duhet të luftojë për të rritur votat për PS.
Duke qenë se sistemi tashmë lejon që lista të thyhet, këto janë figura emblematike të PS dhe në qeverisje (është fjala për Xhafajn, Kodhelin, Majkon etj) sepse kanë qenë disa herë ministra. Duke qenë se në publik janë shumë herë më të njohur, ata kanë avantazhin që mos ta përfillin renditjen, por ta thyejnë e ta fitojnë mandatin nëpërmjet emrit të tyre. Duke marrë vota për vete, rrjedhimisht për PS, ata sfidojnë listën edhe renditjen, njëherësh sjellin më shumë prurje pa diskutim për “thesin e madh” të PS në mënyrë që të marrim sa më shumë mandate në zgjedhjet e radhës.