Në ambientet e Akademisë së Sigurisë Tiranë u zhvillua mbledhja e radhës e Bordit të Administrimit të këtij institucioni të vetëm publik të arsimit të lartë me status të veçantë në fushën e rendit dhe të sigurisë publike.
Me vendimin Nr. 7, datë 04.04.2022, të Bordit të Administrimit u miratuan kriteret dhe procedurat e punësimit të Administratorit të Akademisë së Sigurisë, si autoriteti më i lartë administrativ dhe përgjegjës për mirëfunksionimin financiar të institucionit.
Konkurrimi për këtë funksion do të ndjekë procedurën dhe afatet pas njoftimit në Agjencinë e Prokurimit Publik.
Si organi më i lartë kolegjial administrativ, i ngritur për herë të parë si kërkesë e ligjit për arsimin e lartë, Bordi i Administrimit duhet të garantojë përmbushjen e misionit të institucionit të arsimit të lartë, mbarëvajtjen financiare dhe administrative të tij. Ai ka detyra të rëndësishme së bashku me organet drejtuese dhe strukturat e tjera vendimmarrëse të Akademisë së Sigurisë.
Që nga konstituimi në datën 01.10.2021, Bordi i Administrimit ka marrë disa vendime të rëndësishme për reformimin e Akademisë së Sigurisë, si miratimi i Draftit të Statutit të Akademisë së Sigurisë, i projekt-strukturës së saj, e cila hyn në fuqi me përfundimin e këtij viti akademik, të kuotave për pranimet në studimet e ciklit të parë bachelor (siguria dhe hetimi) për vitin akademik 2022-2023, të rregullores së organizimit dhe funksionimit të bordit etj.
Këto akte dhe vendime shenjojnë hapa të rëndësishëm në realizimin e prioritetit të Ministrisë së Brendshme dhe të Policisë së Shtetit, për rritjen e profesionalizmit në fushën e sigurisë publike nëpërmjet procesit të edukimit e trajnimit, duke bashkëpunuar me institucionet arsimore ndërkombëtare, si dhe konsolidimin e këtij institucioni të edukimit profesional, me qëllimin final akreditimin e tij.


© Ministria e Brendshme 2026 - Të gjitha të drejtat e rezervuara.