Tiranë – Ministri i Brendshëm Taulant Balla kërkoi nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore të rritë forcën goditëse ndaj korrupsionit në radhët e Policisë së Shtetit, duke tejkaluar nivelin e derisotëm të shefave të Komisariatit.
Deklarata u bë në ceremoninë e certifikimit të 18 punonjësve të trajnuar nga ICITAP, në radhët e AMP.
“Kur erdha në korrik ju pyeta për Drejtorë dhe Shefa Komisariatesh të proceduar nga ana juaj. Më vjen mirë që në këto muaj kemi patur shefa Komisariati apo shefa Sektori të Policisë së Shtetit të kapur me presh në duar, por duhen edhe më shumë rezultate, edhe në nivele më të larta”, deklaroi ministri.
Në ceremoninë e zhvilluar në ambientet e Ministrisë së Brendshme ishin të pranishëm, I Ngarkuari me Punë i SHBA-ve në Tiranë, David Wisner, drejtues të Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, zyrtarë të MB-së, drejtuesit e misionit ICITAP etj.

Ministri Balla evidentoi gjithashtu se AMP ka 50% më shumë referime në këto 7 muaj, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, me pothuaj 2 herë më shumë punonjës policie të referuar, 257, ndër ta 78 punonjës të arrestuar apo me masa sigurie.
“Edhe kjo është domethënëse. Por duhen më shumë rezultate. Kalojeni pragun e shefave të komisariateve,” theksoi ai në fjalën e mbajtur.
Në lidhje me punën e AMP, kreu i MB-së shtoi se “keni gjithë mbështetjen, që kjo strukturë civile dhe inteligjente të kontrollojë veprimtarinë e plotë në përputhje me ligjin dhe Kodin Etik të Policisë, Gardës dhe Shërbimit zjarrfikës. Do bëj gjithçka që t’ju mundësojmë trajtimin e duhur financiar dhe t’ju përfshijmë në programet mbështetëse, si ai kredive të shtëpive”.
Ai shprehu mirënjohjen për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, agjencitë e saj, Ambasadën në Tiranë, duke nënvizuar asistencën e vazhdueshme të programit ICITAP në Shqipëri, në fuqizimin, modernizimin dhe në konsolidimin e kapaciteteve hetimore të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, – nënvizoi në fjalën e tij Balla, – u ngrit më shumë se 30 muaj më parë me një ligj të punuar bashkë me partnerët ndërkombëtarë, e në Parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar”.

Fjala e ministrit të Brendshëm Taulant Balla në ceremoninë e certifikimit të trupës inspektuese prej 18 punonjësish të AMP:
Kemi nisur një fazë të re të një procesi të thellë të vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, prej të cilit të gjithë presim të kemi në të dy këto organizata, qoftë në drejtim por edhe në rolin bazë, jo vetëm më profesionistët, por edhe persona me integritet të lartë. Policimi është një profesion tepër fisnik që kërkon integritet, guxim dhe ndjenjë të thellë të detyrës. Nëse brenda vetes i keni këto cilësi, atëherë mundesh të jesh një punonjës të devotshëm i Policisë.
E sotmja është një ditë e rëndësishme në fuqizimin e ekspertizës së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Burimet njerëzore janë aseti më i vyer i çdo organizate, sidomos kur natyra e punës është komplekse dhe e një rëndësie të veçantë. E vlerësoj maksimalisht zhvillimin e këtij trajnimi intensiv, të bazuar në dijen dhe praktikat më të mira që vijnë nëpërmjet programit ICITAP në Shqipëri, duke synuar rritjen e eficencës së hetimeve proaktive në funksion të goditjes së paligjshmërisë, për një shërbim policor në përputhje me standardet evropiane.
Dua të shpreh mirënjohjen time për Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, agjencitë e saj, Ambasadën këtu në Tiranë, duke nënvizuar sot asistencën e vazhdueshme të programit ICITAP në Shqipëri, në fuqizimin, modernizimin dhe në konsolidimin e kapaciteteve hetimore të Policisë së Shtetit dhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Inspektimi, verifikimi i ligjshmërisë së veprimeve, është themeli i veprimtarisë së Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Policia nuk duhet të qarkulloë nëpër komunitete thjesht dhe vetëm për të gjetur shkelje, vendosur gjoba apo për t’u dukur se është aty, po për të bashkëjetuar me njerëzit, mësuar prej tyre dhe mbështetur zgjidhjen e konflikteve të vogla, që kur majisen mund të kthehen në kusure të mëdha për të gjithë. Policimi bazohet mbi të gjitha tek besimi që komunitetet duhet të kenë tek Policia.
Prandaj më duhet ta ripërsëris se lufta kundër korrupsionit nuk nis jashtë nesh, po brenda radhëve tona.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore u ngrit më shumë se 30 muaj më parë me një ligj të punuar bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe në Parlament e kemi konsideruar si një ligj të rëndësisë së veçantë, të cilin e njoh mirë dhe e kam mirë parasysh sa pritshmëri kemi pasur kur e kemi miratuar.
Kur erdha në korrik ju pyeta për drejtorë dhe shefa komisariatesh të proceduar nga ana juaj. Më vjen mirë që në këto muaj kemi patur shefa Komisariati apo shefa Sektori të Policisë së Shtetit të kapur ‘me presh në duar’, por dua ta fsheh kërkesën dhe apelin tim për më shumë rezultate, edhe në nivele më të larta.
Po është e vërtetë që AMP ka 50 % më shumë referime në këto 7 muaj, krahasuar me të njëjtën periudhë e spostuar një vit më parë, me pothuaj 2 herë më shumë punonjës policie të referuar, 257; 78 punonjës të arrestuar/masa sigurie. Edhe kjo është domethënëse. Por ta themi hapur publiku pret më shumë rezultate, prej jush dhe prej meje. Kalojeni pragun e shefave të komisariateve. Keni gjithë mbështetjen, që kjo strukturë civile dhe inteligjente të kontrollojë veprimtarinë e plotë në përputhje me ligjin dhe Kodin Etik të Policisë, Gardës dhe Shërbimit Zjarrfikës.
Do bëj gjithçka që t’ju mundësojmë trajtimin e duhur financiar dhe t’ju përfshijmë në programet mbështetëse, si ai i trajtimit me kredi të buta për banim.
Do të bëjmë gjithçka që secili prej jush të sigurojë aftësitë dhe kapacitetet e duhura për një mbikëqyrje tërësore dhe profesionale. Por më duhet t’jua rikujtoj diçka që jua kam thënë me dyer të mbyllura, se Agjencia juaj, në bashkëpunim edhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, duhet të ndahet nga qasja e vjetër e SHKB-së së vjetër, me hetime të izoluara (rast pas rasti), të cilat në rastin më të mirë, siguronin identifikimin e një keqbërësi të vogël me uniformë, dhe ku ia dilnin pa lagur ata më lart në grada.
Unë pres që procedimet tuaja të shërbejnë si një kurë kimioterapie për të luftuar metastazat në të gjithë organizatën.
Kur kam thënë se vetëpastrimi i Policisë është mision parësor i mandatit tim si Ministër i Brendshëm, i referohesha pikërisht nevojës për forcimin e kapaciteteve inspektuese dhe ndëshkuese të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, si struktura që e ka detyrë dhe përgjegjësi primare garantimin e pastrimit të kësaj organizate, nga mbajtës të padenjë të uniformës së Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës.
Policia e Shtetit po ecën përpara në rrugën e konsolidimit si institucioni më i besuar në vend. Anketimet sociologjike më të fundit na indikojnë një mbështetje prej 70 % të qytetarëve për Policinë dhe operacionet e mëdha kombëtare të muajve të fundit.
Duhet të ruajmë këtë besim të fituar të publikut, përmes punës tuaj, të ruajmë e nxisim më tej motivimin e atyre qindra-mijëra të rinjve e të rejave që punojnë në radhët e Policisë me dedikim, pasion, profesionalizëm duke parë të ardhmen e tyre me uniformën e Policisë.
Pashmangshmërisht, vëmendja dhe fjala ime sot duket si më e fokusuar te Policia e Shtetit, sesa AMP, jo vetëm për shkak të numrave (organizatë që sot ka 9.999 punonjës aktivë) por edhe për shkak të natyrës specifike të punës së saj, në raport me sigurinë e qytetarëve. Kjo nuk do të thotë se vigjilenca ime është më e ulët për nevojën e vetëpastrimit edhe të punonjësve të Gardës së Republikës, edhe atyre të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri e Shpëtimi.
Për këto arsye, kërkoj nga ju sot, që dijet e fituara falë arsimit, eksperiencës tuaj, falë edhe këtij trajnimi të shumë-pritur që sapo u përmbyll, t’i vini në dispozicion të plotë dhe në mënyrën më profesionale, për të inspektuar duke hetuar cilësisht dhe me paanësi, çdo rast që ka dyshim të arsyeshëm se duhet hetuar.
Besoj se jemi dakord dhe e keni kuptuar drejt, që Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kaluar në një etapë krejtësisht të re të ekzistencës së saj, duke tejkaluar tashmë idenë se qëllimi primar i aktivitetit të saj është thjesht ndëshkimi i rasteve dhe episodeve korruptive, por më gjerë parandalimi i korrupsionit apo paligjshmërive brenda radhëve të strukturave të shtetit, që janë objekti i mbikëqyrjes.
Për këtë arsye, duhet që numri dhe cilësia e inspektimeve parandaluese dhe hetimeve proaktive të rritet, me qëllim krijimin e kushteve dhe fitimin e kohës për të siguruar parandalimin, në vend të ndëshkimit.
Asnjëherë mos harroni peshën e përgjegjësisë që mbart uniforma e Policisë, kompleksitetin dhe vështirësinë e policimit në epokën në të cilën jetojmë, ku shkelësit e ligjit dhe kriminaliteti në përgjithësi, gjejnë vazhdimisht forma të reja të shprehjes, kundrejt komunitetit, ashtu edhe kundrejt vetë oficerëve të Policisë. Prandaj, kërkoj nga ju një qasje absolutisht objektive dhe e kthjellët, duke shmangur paragjykimet, ndërhyrjet dhe duke u mbështetur në fakte dhe të dhëna konkrete.
Sikurse pata mundësinë t’u uroj të rinjve e të rejave që u pranuan në Akademinë e Sigurisë para pak javësh, uroj dhe ju të udhëhiqeni përherë nga parimet e ligjshmërisë, integritetit dhe respektit për subjektet dhe qytetarët, të cilëve u shërbeni në detyrën tuaj, me ndërgjegje të lartë për rëndësinë dhe peshën e veprimeve tuaja.
Suksese dhe ju vaftë mbarë!


