Bruksel/Ministeriali BE - Ballkani Perëndimor mbi armët e zjarrit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 16/05/2023

Bruksel/Ministeriali BE – Ballkani Perëndimor mbi armët e zjarrit

Bruksel – Nën kryesimin e Presidencës Suedeze të Këshillit të Europës, Zv/presidentit të Bashkimit Evropian, z. Borrell, Komisioneres për Punët e Brendshme, znj. Johansson dhe drejtuesve të agjencive kryesore të BE-së, u mbajt Konferenca e Ministrave të BE – Ballkan Perëndimor mbi kontrollin e armëve të zjarrit. Në të mori pjesë zv.ministri i Brendshëm Besfort Lamallari.

Lamallari shkroi në rrjetet sociale, pas punimeve të konferencës:

“I nderuar që në emër të Qeverisë Shqiptare dhe Ministrisë së Brendshme të falendëroja Komisionin Europian për organizimin e kësaj konference të rëndësishme si dhe të ndaja rezultatet e arritura deri më tani dhe politikat e nismat prioritare për 5 vitet e ardhshme.

Në përfundim të fjalës, një thirrje drejtuar vendeve të rajonit dhe Bashkimit Europian: Ne e dimë se e ardhmja u takon atyre, të cilët arrijnë të dallojnë mundësitë, përpara se ato bëhen të dukshme.

Dialogu dhe angazhimi politik midis nesh, i mbështetur në besimin reciprok të adresimit efektiv të sfidave të përbashkëta përmes bashkëpunimit, do të avancojë më tej arritjet në drejtim të kapaciteteve hetimore dhe teknologjike, në favor të sigurisë së shtuar të qytetarëve të vendeve tona. Është e qartë se ambiciet tona për ndryshim duhet të jenë realiste.

Ndryshimi në vetvete merr kohë dhe durim për të triumfuar mbi të shkuarën. Por për ne, e ardhmja është e qartë. E ardhmja jonë është një Europë më e sigurt dhe Bashkimi Europian!”