Balla prezanton p.ligjin ”Për Policinë e Shtetit": Synimi themelor, reformimi dhe ngritja në një nivel tjetër të Policisë së Shtetit - Ministria e Brendshme
Postuar më: 19/07/2024

Balla prezanton p.ligjin ”Për Policinë e Shtetit”: Synimi themelor, reformimi dhe ngritja në një nivel tjetër të Policisë së Shtetit

Kuvend – Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezanton projektligjin ”Për Policinë e Shtetit”, në Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, i cili ka synim themelor reformimin dhe ngritjen në një nivel tjetër të Policisë së Shtetit. Balla tha se ligji ka efekt afatgjatë, sesi e duam Policinë në 2030, kur Shqipëria të jetë anëtar i Bashkimit Europian.

Projektligji “Për Policinë e Shtetit”

Relacioni i projektligjit “Për Policinë e Shtetit”

Nga fjala e ministrit Balla në prezantimin e nismës ligjore:

“Propozimi i një ligji të ri “Për Policinë e Shtetit” është pa dyshim një ndër nismat më të rëndësishme të Ministrisë së Brendshme sa i përket përpjekjeve shumë-planëshe për reformimin e institucioneve në fushën e rendit dhe sigurisë, në rastin në fjalë, të agjencisë më të madhe ligjzbatuese sikurse është Policia e Shtetit.

Statistikat janë fakte të pakundërshtueshme. Ato tregojnë se në forma të ndryshme indikatorët e punës së PSH, përmes indikatorëve të luftës kundër kriminalitetit, kanë patur përmirësim drastik, më i miri në të gjithë historinë 33 vjeçare të vendit.

Meqenëse u përmend njëri prej këtyre indikatorëve dallues të kriminalitetit, që janë vrasjet me dashje. Në rast se në 2012, Shqipëria kishte 125 vrasje me dashje; në 2023 kemi, gati tri herë më pak, 35 vrasje. Kjo është një rënie drastike më e dukshmja në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht shumëfishimit të numrit të mjeteve në këto 10 vite, se janë dyfishuar mjetet në pronësi por shumëfishuar ata që vijnë si turistë, ajo që bie në sy është që janë përgjysmuar humbjet e jetëve për shkak të aksidenteve rrugore. Nëse në 2012 ishin 334 jetë të humbura në vitin 2023 janë 191, ndërsa ky trend zbritës është thelluar dhe pritshmëritë tona janë shumë pozitive për 2024.

Ka edhe një element tjetër, që ka të bëjë me besueshmërinë e publikut, nëse në vitin 2013, besueshmëria e publikut te organizata e PSH ishte vetëm 1 në 3 qytetarë, pra vetëm 37 % besonte te PSH, sot jemi në nivelin më të lartë të besueshmërisë, në 72 %; më shumë se 7 në 10 persona në Shqipëri, e shohin Policinë e Shtetit si institucionin më të besuar në vend, kjo falë përpjekjes së të gjithë anëtarëve të kësaj organizate, punës së shkëlqyer dhe rezultateve të cilat janë fakte të pakundërshtueshme.

Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi shumë-planësh, nuk është vetëm zhvillimi ekonomik e social por janë edhe sfidat e rendit dhe të sigurisë, të cilat nuk janë më ato të 10 viteve më parë. Jetojmë në një moment të ri sfidash për sigurinë publike. Shqipëria e vitit 2024 nuk është ajo e 2014 dhe këtu mjafton një element që është thelbësor, sa i përket detyrave të institucioneve të sigurisë, veçanërisht PSH dhe njëri prej tyre është numri tejet i lartë i vizitorëve të huaj që zgjedhin Shqipërinë. Nëse kishim mbi 10 mln vizitorë të huaj në 2023, dhe 2.8 mln mjete me targa të huaja, në 2024 pritshmëritë janë më të larta. Atëherë na duhet të përgatitim PSH për sfidat e reja, si krimi kibernetik, marrëdhënia me komunitetit, dhunën me bazë gjinore, seksuale, etj.

Nisma për ligjin e ri për PSH për ne është një hap i rëndësishëm sepse ka të bëjë me angazhimin, – dhe këtu nuk kemi dallime politike, majtas apo djathtas, – sa i përket përmbushjes së detyrimeve të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, për të gjithë ato detyrime që burojnë nga kapituj që lidhen drejtpërdrejt me forcimin e shtetit të së drejtës dhe të institucioneve demokratike.

Kjo nismë krijon infrastrukturën e domosdoshme ligjore për forcimin e kapaciteteve të PSH, në përgjigje të kërkesave dhe proceseve reformuese e patjetër, integruese në fushën e rendit e sigurisë, në luftën kundër krimit në vend, ndërkufitar dhe atë në nivel ndërkombëtar.

Vlen të theksoj se iniciativat e ndryshme ligjore, kanë ardhur nga vetë PSH, për çështje që duhen adresuar, për të konsoliduar përvojën dhe përgjigjur sfidave që kanë dalë apo që dalin në vijim, shtuar dhe sfidën Shqipëria 2030, si vend anëtar i BE-së.

Policia e Shtetit shqiptar është një agjenci ligjzbatuese e konsoliduar, autonome, e pavarur, e vetëdijshme në çdo hallkë të organizimit të vet dhe e ndërgjegjshme që gjithmonë ka vend për të përmirësuar.

Projektligji që keni para është një sipërmarrje e përgjegjshme e iniciuar në shtator 2023. Procesi i hartimit të tij i është nënshtruar një qasjeje të strukturuar, e shtrirë në kohë, sistematike, konstante, një diskutim tejet konstruktiv me vetë PSH, me institucionet e tjera të varësisë, nënvizoj konsultimin prej ditës së parë e deri sot që jemi këtu me partnerët ndërkombëtare që asistojnë Ministrinë e Brendshme; bazuar në analiza objektive me qëllim konsolidimin e zbatimit të pikave të forta, të suksesshme të ligjit ekzistues, dhe për të adresuar çështje që përmirësojnë eficiencën, transparencën, llogaridhënien dhe meritokracinë.

Hartimi i ligjit është mbështetur në analiza të thelluara të modeleve të ligjeve për policinë të disa prej vendeve anëtare të BE, si Italia, Kroacia, Sllovenia, Rumania por edhe vendeve të tjera të rajonit tonë me eksperienca të ngjashme dhe organizim të ngjashëm të shtetit.

Ekspertizës së organizatave ndërkombëtare që po i citoj, EU4LEA, ICITAP, SIDS nga Norvegjia dhe agjencive të përfaqësuara përmes ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, të cilët kanë pasur, kanë dhe do të vazhdojnë të kenë një lidhje të ngushtë bashkëpunimi me Ministrinë e Brendshme dhe PSH.

Ka kaluar një proces konsultues edhe me institucione të pavarura në vend dhe organizata të shoqërisë civile etj.

Janë marrë në konsideratë analizat e nevojave për reformim të adresuara drejt PSH dhe MB, por edhe gjetjet e partnerëve tanë.

Janë lexuar rekomandimet e progres-raporteve të BE, të OSBE–ODIHR, por edhe raporte të tjera, të vendeve që monitorojnë Shqipërinë.

Iniciativa ka marrë mbështetjen e partnerëve dhe institucioneve të pavarura.

Ky p.ligj do të na mundësojë krijimin e kapacitete të munguara në PSH, forcimin e strukturave aktuale, por duhet të bëjmë gjithçka për të parandaluar çdo formë të konfliktit të interesit dhe pa harruar objektivin tim themelor në krye të MB që lidhet me eliminimin e çdo hapësire për veprimtari korruptive dhe aspekte të tjera që lidhen me to në organizatën e PSH.

Një vëmendje e veçantë u është kushtuar rekomandimeve të GRECO-s që kanë të bëjnë me elementët e direktivës së policisë dhe direktivës për mbrojtjen e të dhënave personale.

Policia pranë komuniteteve është fryma e ligjit.

Përcaktimet ligjore të vendosura në këtë p.ligj mundësojnë thellimin e bashkëpunimit të policisë me aktorët e tjerë të interesit, fuqizimin e komunitetit, rritjen e forcës reaguese e parandaluese të PSH, të komunikimit dhe ndërveprimit të komunitetit me policinë për të reaguar në kohë ndaj kërcënimeve të reja, për të parandaluar dhe ndihmuar në zbulimin e çdo shkeljeje të ligjit dhe për t’u përfshirë në proceset vendimmarrëse për përmirësimin e shërbimit cilësor. Na duhet ta tërheqim publikun sa më pranë policisë për ta konsultuar dhe për ta ndjerë pjesë të vendimmarrjes, çka sjell drejtpërdrejt rritjen e besueshmërisë.

Vendosja e qytetarit në qendër, në thelb të këtij p.ligji, dallohet qartë nga vetë organizimi dhe mënyra e organizimit të ligjit ku në dallim me ligjin e vjetër, në qendër vendosen të drejtat dhe trajtimi i duhur i qytetarëve dhe jo thjesht organizimi dhe funksionimi i strukturës policore.

P.ligji përcakton në mënyrë të plotë dhe të qartë, shkeljet dhe masat disiplinore duke propozuar një sistem më efektiv të masave ndëshkimore dhe korrigjuese ndaj çdo veprimi apo mosveprimi, në kundërshtim me përcaktimet ligjore në fuqi.

Ky p.ligj përmirëson organizimin e PSH, menaxhimin e brendshëm të saj, funksionimin e veprimtarisë së strukturave policore në të gjitha nivelet, të proceseve dhe procedurave të brendshme, që kanë si qëllim të vetin zhvillimin profesional të punonjësit të policisë, e pa harruar këtu, dëshirën tonë për të garantuar ecjen në karrierë të punonjësve të policisë. Legjislacioni aktual nuk u ka dhënë mundësinë reale gjithë anëtarëve të organizatës, që të bëjnë një karrierë të pandikuar nga aktorë të tjerë, dhe të bazuar vetëm në meritokraci e rezultate.

Ndaj kemi ardhur sot në Kuvend, kërkojmë të marrim mbështetjen tuaj se përafrojmë karrierën, organizimin, menaxhimin, funksionimin e veprimtarisë brenda organizatës së PSH me standardet më të mira të BE.

Sapo ne ta miratojmë zyrtarisht, do t’ia dorëzojmë edhe Kosovës, që na kanë kërkuar ligjin si model, për të përmbushur edhe ata nevojat, sepse qoftë Shqipëria, qoftë Kosova, kanë vetëm një plan A, anëtarësimin në BE, fatmirësisht nuk jemi vende me një plan B.

Ne synojmë të përshtatim arsimimin policor me nevojat aktuale të PSH, bazuar këto në gjithë eksperiencat më të mira të profesionalizmit në polici dhe p.ligji synon të adresojë problematikën e arsimimit të përgjithshëm duke e orientuar drejt profilizimit sipas fushave kryesore të veprimtarisë së PSH. Gjithashtu përmirësojmë rekrutimin, duke rregulluar një gabim në heqjen e sistemit ‘Bachelor’ në fushën e rendit, sigurisë dhe hetimit.

Por p.ligji sjell risi të dukshme në emërimin e drejtuesve të lartë të PSH, përmes një procesi të hapur, transparent konkurrimi, dhe meritokraci. Kush bën punën, ka rezultate dhe merita, duhet të marrë pozicione drejtuese.

Ky p.ligj ruan dhe përforcon rregullat në trajtimin e punonjësve duke garantuar trajtim të veçantë qoftë financiar, qoftë moral në raport me rëndësinë e detyrës që ata kryejnë.

Gjej rastin t’i falënderoj një për një, gjithë anëtarët e Komisionit, nga kryetari, nënkryetari për mbështetjen e dhënë për PSH, sa i përket përpjekjeve tona për trajtim më të mirë dhe të duhur financiar të punonjësve të policisë, por gjithmonë ka vend për përmirësim dhe dua t’ju informoj se edhe në këtë raund të radhës së rritjes së pagave në administratën shtetërore në vend, qoftë PSH, qoftë agjencitë e tjera të varësisë, kanë qenë përfitues. Më në fund i kemi dhënë një zgjidhje përfundimtare një plage të vjetër, të pakuruar, sikurse ishte pagesa e ushqimit ndaj punonjësve të PSH. Në ditët në vijim, çdo punonjës i PSH do të ketë një kartë bankare te e cila do t’i derdhen pagesat e ushqimit, e shoqëruar kjo me një program të veçantë, duke u nisur nga modelet më të mira, si ai amerikan p.sh., që kjo kartë bankare e punonjësit të policisë, ka çmim preferencial në një pjesë të ofruesve të shërbimeve “retail” të ushqimit apo të mallrave të tjera të një shporte të veçantë ndaj punonjësve të PSH.

Nga ana tjetër p.ligji parashikon skemë mbështetjeje dhe motivimi më të favorshme ndaj punonjësve të PSH, pa harruar këtu edhe stimujt, medaljet, certifikatat e karrierës dhe arritjeve profesionale.

Theksoj se jo vetëm përmbajtja, por edhe si strukturë ky p.ligj i ri na krijon mundësinë e një organizimi më logjik, funksional dhe më afër thelbit të veprimtarisë policore, duke e lidhur më natyrshëm funksionimin, misionin, përgjegjësinë dhe mënyrën se si ato zbatohen përmes masave policore.

Duke ju falënderuar që më dhatë mundësinë e këtij prezantimi, kam nderin, edhe si koleg i juaji, anëtar i Kuvendit, të kërkoj mbështetjen e të gjithëve, edhe të shumicës, edhe të pakicës, sepse ky është një ligj që ka një qasje afatgjatë, një ligj që synon të ndërtojë prej sot si e duam ne Policinë e Shtetit shqiptar në vitin 2030, një vit kur të gjithë mendojmë se do të jetë dita kur Shqipëria të jetë anëtare e BE-së.